“Akull n’verë”, aktiviteti që i jep freski Prishtinës në ditët e ngrohta të verës

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, njihet për llojlloshmërinë e aktiviteteve të ndryshme që ofron, ngjajshëm edhe për atraksionet e vende interesante për ti vizituar. Ky qytet, jo më kot është edhe kryeqendra e vendit. Aktivitete të ndryshme zhvillohen çdo ditë  në qytetin e gjallërisë, në Prishtinën e bukur. Një aktivitet, që tërheq vëmendjen e banorëve të qytetit e të vendit është “Akull n’verë”.

Ky aktivitet, në kuadër të organizimeve të Komunës së Prishtinës, u mundëson vizitorëve që në ditët e nxehta të verës të gjejnë freski. Shumë shtëpiza montohen në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shërbejnë si dyqane dhe bare ku vizitorët kanë mundësi të shërbehen me pije freskuese apo ushqime. Çmimet e produkteve që ofrohen në këtë aktivitet janë shumë të arsyeshme e të përballueshme.

Duke qenë qyteti më i frekuentuar në vend, Prishtina mban përgjegjësi që vizitorët në çdo stinë të gjejnë rehati dhe kënaqësi. Më 15 korrik të këtij viti është bërë zyrtarisht hapja e aktivitetit të lartëpërmendur “Akull n’verë” që do të zgjasë deri më 15 gusht. Vera është stinë e dashur për të gjithë, por temperaturat e larta ndonjëherë bëhen të pa përballueshme e për këtë Prishtina organizon aktivitete të tilla. Të rinjtë nga çdo pjesë e vendit, turistët ngado që vijnë, mund të shijojnë ndonjë pije freskuese nga larmia që ofrohet.

Muzika nuk mungon, për t’i shtuar hijeshinë e për t’i rritur kënaqësinë ditëve dhe mbrëmjeve në qytetin e ditës dhe natës. Meqë arti është një nga fushat që ofron dhe premton shumë në vendin tonë, grupe të ndryshme, të rrymave të ndryshme, performojnë gjatë netëve të ndritshme plot jetë. Prishtina e të gjithë njerëzve, Prishtina e të gjitha stinëve. Aktivitetet si “Akull n’verë” dhe “Verë n’dimën” e bëjnë të veçantë pëvojën në kryeqytetin e Kosovës. Freski në verë e ngrohtësi në dimër, kënaqësi në verë e kënaqësi në dimër, në Prishtinën që s’njeh stinë, në Prishtinën që s’ndalet kurrë e mirëpret gjithmonë.

 

Discussion about this post

Related Posts