Voskopoja, fshati që vizitohet çdo ditë në çdo stinë

Aty ka jetuar prej shekujsh qytetërimi e ndërsa natyra është treguar e pa kursyer në çdo gjë. Të jetosh një ditë në këtë fshat, të shtohen 10 vite jetë thonë gojëdhënat e përsëritura ndër breza . Bëhet fjalë për fshatin e bukur e piktoresk të Voskopojës, e cila ka cdo gjë që kërkon njeriu. Peizazhi, kultura dhe tradita unifikohen në mënyrë harmonike duke e bërë fshatin të dashur për të gjithë. Turistët mbeten besnikë në çdo stinë duke i ndërthurur shpirtrat me natyrën fort dhe vështirë të ndahen nga njëri-tjetri.

 

Ndodhet vetëm 21 kilometra larg qytetit të Korçës, ndërsa rrugë që të çon drejt fshatit gjarpëron midis kodrave të bukura dhe të pushtuara nga pemët e larta dhe shekullore. Në këtë fshat çdo gjë ruhet me fanatizëm nga banorët. Traditat, bukuritë natyrore dhe mbi të gjitha arkitektura. Sapo futesh në fshat të gjitha shtëpitë janë të ndërtuara me gurë të zi dhe kangjellat e ndërthurura në mënyrë perfekte . Kjo e bën Voskopojën të veçantë dhe mjaft të dashur për këdo që e viziton dhe nuk e braktis kurrë.

Gatimet tradicionale janë një “art” më vete i amvisave voskopojare. Ato janë të mrekullueshmë , të bukura në shpirt dhe kanë trashëguar çdo gatim nga gjyshet e tyre. Lakrori në saç, mishi në hell, kulaçi, petullat e fshira, petullat me mjaltë, rakinë e kumbullës,  glikotë e ndryshme, likeri me frutat e pyllit, dromkat, petkat , roshnicat e shumë gatime të tjera përgatiten nga duart e zonjave voskopojare.

 

Nga ana tjetër trashëgimia kulturore është një thesar i çmuar i fshatit malor. Kishat dhe afresket e shumta mbartin një trashëgimi të çmuar me vlera të rralla historike. Dikur në Voskopojë numëroheshin rreth 24 kisha ndërsa sot mbijetojnë vetëm 7 prej tyre.  Kishat të gjitha janë të tipit bazikë të pasura me imazhe të pikturave murale dhe ikonave që datojnë 1632-1721. Cdokush që udhëton drejt fshatit piktoresk nuk largohet pa vizituar kishat mijëra vjeçare të cilat mirëmbahen nga prifti i fshatit. Ajo çka e bën më të dashur këtë fshat janë edhe vetë banorët të cilët karakterizohen nga mikëpritja , urtësia dhe fisnikëria. Në çdo ditë të javës  është vështirë që fshatin ta shohësh bosh dhe mos takosh turistë . Në qendër të fshatit takuam një grup nxënësish të cilët kishin udhëtuar nga Tirana për të shijuar dhe mësuar rreth vlerave dhe historisë së Voskopojës. Ata na pohuan se ishin mahnitur nga bukuritë natyrore por jo vetëm. Kishat dhe vlerat që mbartin  ato ishin mbresëlënëse. Mësuesi Pëllumb Haçmutaj nuk nguroi të tregontë çdo gjë që shijoi dhe mësoi.

 

“Me thënë të drejtën është hera e parë që po vij këtu. Kam mbetur pa fjalë. Ka qënë zgjedhja e duhur që udhëtuam me nxënësit këtu sepse realisht mësuam shumë gjëra që më herët nuk i dinim. Kisha lexuar shumë për Voskopojën. E dija që ishte shumë bukur por më kanë lënë pa fjalë kishat e vjetra të ndërtuara dhe ruajtur me kaq shumë fanatizëm ato vlera brenda tyre. Pikturat murale më bënë të ndjehem keq brenda vetes. Nuk duhet ti kisha njohur nga afër kaq vonë. Por përtej kësaj ju siguroj që do vi më shpesh disomos me familjen time. Natura është në perfeksion ndërsa arkitektura skam fjalë. Janë ndërtuar aq bukur dhe me kujdes këto shtëpitë sa vështirë të besosh që dora e njeriut katreguar kaq kujdes deri në detaje të vogla pothujase të papërshkueshme nga syri. Kma mbetur pa fjalë. Akoma nuk e kemi përfunduar guidën, kemi edhe disa vënde për të vizituar dhe më pas sigurisht gatimet tradicionale mezi presim ti shijojmë. Faleminderit Voskopojës për mikpritjen dhe fisnikërinë që e karakterizon.”

 

Ndjehesh shumë mirë kur dëgjon njerëz  që flasin kaq bukur dhe shpirti i tyre ka gjetur qetësi. Pak metra më tutje në qëndër diku tek stolat e vendosur takojmë një të moshuar. I veshur bukur dhe i krekosur zotëria nuk na shmanget aspak por nis bisedën sapo e përshëndesim. Rifat Muço thotë për Triptoalbania.al se në Voskopojë të shtohen vitet e jetës. Historia se si është njohur me Voskopojën është e trishtë por e bukur pasi kjo i ka kthyer lumturinë.

“Arsyeja pse jam në Voskopojë tashmë edhe banorë i saj është e veçantë. Nipi im kaloi një ftohje në mushkëri dhe doktoresha në Itali na këshilloi të zgjidhnim një vend malor dhe me klimë të freskët. Kisha lexuar për Voskopojën por nuk kisha qënë asnjëherë. Unë jetoj prej vitesh në Durrës. Arsyeja e shëndetit të nipit më bëri të zgjedh pikërisht këtë fshat. Kur kam ardhur kam mbetur i mahnitur. Menjëherë kërkova nëpër fshat të blija një shtëpi bashkë me gruan time. Kemi mëse dy vjet që rrim këtu dhe nipi u shërua nga problem shëndetësor që vuante. Ky ajri këtu është ilaç. Nuk e gjen në asnjë vënd të botës. Unë pjesën tjetër të jetës këtu do e kaloj. Nuk më bën zemra të largohem. Shëtitjen e mëngjesit në ajër të pastër nuk do e shihja më gjënë më të shtrenjtë në këtë botë. Lum ne që jemi këtu. Kështu i them bashkëshortres time çdo dite. Në muajt e dimrit largohem në Itali tek fëmijët ndërsa gjatë muajve të verës nuk i ndahemi Voskopojëës. Është mrekulli . Zoti e ka bekuar këtë fshat dhe njerëzit e zbukurojnë Akoma më shumë’.

Discussion about this post

Related Posts