Nëse dëshironi të vizitoni një ndër mrekullitë e natyrës shqiptare ku gjithçka duket si e pikturuar me dorë, këtë nuk mund ta gjeni askund tjetër përveçse në zonën turistike të Gërmenj-Shelegurit.
Triptoalbania.al udhëtoi drejt këtij destinacioni, jo shumë të njohur nga të gjithë, për tju sugjeruar një nga udhëtimet më të bukura natyrore që mund të bëni. Aty do të gjeni mikpritjen, bukurinë natyrore, por edhe ushqimin më të mirë që keni shijuar ndonjëherë.
Rezervati natyror i Gërmenj-Shelegurit është një vend turistik, i cili ndodhet në rrethin e Kolonjës drejt rrugës për në Leskovik, i rrethuar me male dhe me një natyrë të virgjër tepër piktoreske. Për të shkuar drejt këtij vendi turistik duhet të ndiqni rrugën kombëtare Korçë-Ersekë-Leskovik.
Ajo ndodhet midis fshatit Radanj dhe Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.
Një segment rrugor që mund të përshkohet me makinë, megjithëse duhet treguar kujdes në segmentin rrugor Ersekë-Gërmenj pasi është një rrugë shumë e ngushtë.
Gjelbërimi të shoqëron gjatë gjithë kohës dhe panorama piktoreske shfaqen njëra pas tjetrës. Por ajo që është qershia mbi tortë dhe konsiderohet si një nga bukuritë më tërheqëse në këtë zonë është edhe liqeni i Shelegurit. Një panoramë e mrekullueshme , e cila ndërthuret me kreshtat e vargmaleve të Nemërçkës.
Në Gërmenj-Shelegur gjithashtu do të gjeni edhe ushqimet më të mira që keni provuar ndonjëherë, si lakrorin në saç, apo mishin e pjekur që ka një shije të veçantë për shkak të kullotave që ka në këtë zonë.
Në këtë zonë do të gjeni gjithçka që ju duhet, që nga ushqimi, strehimi dhe deri tek guidat e posaçme. Gjithashtu mund të vizitoni edhe rrënojat ilire, Ujëvarën e Leskovikut, liqenin e Shelegurit apo të bëni ndonjë nga guidat me kuaj që ofrohet në zonë. Më besoni është vendi ideal për të ekspolruar një gjë ndryshe, larg zhurmë dhe mes ajërit të pastër e natyrës së mrekullueshme. Sapo të largoheni, do ndjeni dëshirën të riktheheni prap.
Discussion about this post