Vetëm pak kilometra nga kryeqendra, e shtrirë në livadhe të gjelbëruara, ndodhet qyteti i lashtë, i quajtur Ulpiana. Gjurmët e këtij qyteti, që përshkruhen nga koha e lashtë, të mahnisin edhe sot e kësaj dite. Të mahnit mënyra e të jetuarit në një kohë, për ne shumë të largët, organizimi i jetës, ndërtimi i mureve gjigante, të gjitha me gur e karakteristika të tjera mbresëlënëse.
Jo më kotë thuhet se historia është pasqyra e së kaluarës së çdo vendi. Trashëgimia kulturore e historike janë një thesar i çmueshëm, që ruhen me fanatizëm. Ndër shumë monumente në Kosovë, Ulpiana ka rëndësinë e saj të veçantë. Rrënojat e Ulpianës, tregojnë për një qytet të banuar qysh në shekullin II, kur perandori Trajan e themeloi. Vizita në këtë pasuri të trashëgimisë sonë kulturore, do të ju mbetet përherë në kujtesën tuaj. Themelet e ngurta, që edhe sot e kësaj dite qëndrojnë të forta, do t’ju kthejnë në një udhëtim nëpër kohë, duke dëshmuar se shekujt nuk i hedhin dot pluhur historisë.
Pushtimi romak në shek. I të erës së re solli një varg ndryshimesh në jetën ekomomike dhe kulturore të dardanëve. U ngritën qytete, kështjella, fshatra, objekte kulti, sikurse dhe rrjeti i rrugëve të antikitetit mbi trasetë e rrugëve pararendëse të mbretërisë dardane. Ndër qytetet më të rëndësishme ishte Ulpiana. Zbulimet e vendbanimit palafit, varreza dardane, qeramika e fazës së parë të hekurit dhe stolitë e shekullit IV të erës së re, dëshmojnë që Ulpiana ishte ngritur mbi shtresa parahistorike të një vendbanimit të mëhershëm dardan. Në fillim të shek. II, gjatë sundimit të perandorit Trajan, Ulpiana kishte fituar statusin e qytetit. Në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit.
Kulmin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor qyteti e arrin në fund të shek. III dhe fillim të shek. IV. kur shndërrohet në një qendër të rëndësishme politike, ekonomike, kulturore dhe religjioze të një hapësire shumë të gjerë gjeografike. Në këtë periudhë Ulpiana fitoi epitetin “Municipi madhështor i Ulpianës” (Municipii splendissimii Ulpianae) dhe ishte bërë seli peshkopate. Dyndjet e gotëve në Iliri gjatë shek. V e përfshinë edhe Ulpianën. Ndërsa tërmeti katastrofal që kishte goditur Dardaninë në vitin 518 kishte shkaktuar dëme të mëdha në qytet. Perandori Justinian, rindërtoi muret dhe objektet e rrënuara, ndërsa në shenjë mirënjohje, Ulpiana u pagëzua me emër të ri, Justiniana Secunda (Justiniana e Dytë).
Qyteti i rrethuar me mure të gjëra deri në 3m dhe me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi. Ai zë sipërfaqe prej 35, 5 ha. Rreth 50 m në lindje të Ulpianës në shek. VI ishte ngritur një vendbanim i fortifikuar, që do identifikuar me qytetin Justinopol, të cilin perandori më origjinë dardane, Justiniani e ngriti për nder të dajës së tij Justinit. Qyteti ka planimetri katërkëndëshi. Shtrihet në një sipërfaqe prej 16 ha. Ulpiana së bashku me Justinopolin, para lagjet, varrezat etj., zë një sipërfaqe prej rreth 120 ha. Brenda qytetit Ulpiana, pranë portalit verior është zbuluar portiku me dyqane zejtare të shek. III – IV, një pjesë e rrugës veri – jug (cardo maximus) e shtruar me pllaka gurësh, një kanal masiv për bartjen e ujërave të reshjeve atmosferike, horrea (drithniku) dhe bazilika e kohës së Justinianit. Kjo bazilikë gjendet në linjë të njëjtë me një bazilikë tjetër paleokristiane në Graçanicë, mbi themelet e së cilës nga gurët e ripërdorur, ku shihen fragmente mbishkrimesh të stelave dardane, në shek. XIV u ngrit Manastiri i Graçanicës.
Në jug të Ulpianës veçanërisht shquhen gërmadhat e një pallati të shek. IV, të shtruar me mozaik dhe të pajisur me hipokaustikë. Në qendër të mozaikut me zaje shumëngjyrëshe janë paraqitur motive të llojllojshme gjeometrike të hijeshuara me figura shpezësh. Jashtë mureve të Ulpianës janë zbuluar varreza perëndimore, varreza jugore dhe varreza veriore. Posaçërisht shquhet varreza veriore me konstruksione të larmishme varresh e stolish (shek. I – VI), në mesin e të cilave mbizotëron arka monumentale e mermerit. Pranë kësaj varreze janë gjetur 5 antefikse të zbukuruara me palmeta dhe maska me tematike teatri, portreti i Erotit , portreti i aktorit tragjiko – komik dhe portreti i një gruaje, të punuara në mermer. Gjetja e antefikseve me motive teatri, portreti i aktorit etj., janë dëshmi të tërthorta për ekzistimin e teatrit antik në Ulpianë.
Në afërsi të Ulpianës, në Fushën e Çerkezit është zbuluar kodërvarri i një princeshe dardane e cila ishte varrosur së bashku me stoli të pasura nga ari dhe argjendi. Varri i takon shek. III. Në Ulpianë është zbuluar edhe varri i një princeshe gote e filleve të shek. VI, e që gjykuar sipas stolive të traditave ilire të epokës së hekurit kishte lidhur kurorë me një princ dardan. Emrat ilir në stelat dardane, kulti i kalorësit dardan dhe ritet e varrimeve, dëshmojnë që popullata dardane kishte ndikim të madh në rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Ilirja Varranilla, sipas një mbishkrimi në tabula ansata ishte ktitore e një objekti publik. Në Ulpianë gjithashtu, kryqëzoheshin rrugët e Dardanisë.
Shtrirja e bazilikës dhe kishës së pagëzimit
Në kërkimet gjeo-fizike të bëra nga arkeolog shqiptar dhe të tjerë, është zbuluar se ka objekte në hapësirën prej 100 hektarësh brenda territorit të qytetit antik. Në anën veriore të qytetit ndodhen varrezat, ku janë gjetur disa institucione të rëndësishme, siç janë themelet e një Bazilike (Paleolitike-Kristiane) të Krishterimit të Hershëm, e ndërtuar në fillim të shekullit të 4-të nga Perandori Justinian. Gjithashtu është gjetur hyrja veriore e qytetit, me muret e tij, një memorium dhe një dhomë ose një formë funerali. Rrënojat e një ndërtese me një mozaik të bukur gjenden në jug të qytetit. Hulumtimi u përqendrua kryesisht në objektet antike të cilat janë gjetur në anët e rrugës kryesore, të cilat lidhnin qytetin me rajonin. Vëmendje iu dha gjetjeve të objekteve në hyrjen veriore të qytetit. Me shtimin e përdorimit të fotografive ajrore dhe satelitëve në vitet e kaluara, arkeologët, pa gërmime të kushtueshme, ishin në gjendje të gjenin dhe përshkruanin shumë ndërtesa të mëdha antike të cilat përfshinin një banjo publike, forumin (qendra administrative e qytetit), një rezidencë të peshkopit në epokën e krishtërimit të hershëm, dhe një kishëz pagëzimi.
Objektet që janë gjetur në rrënojat e qytetit janë disa, por më të rëndësishmit janë: koka e gruas, koka e burrit, koka e Erosit dhe maska tragjike.
Koka e gruas
Skulptura përfaqëson një portret të gruas së moshës së mesme të bërë me mermer të bardhë me kokërr të imët, të lartë 18 cm. Në strukturën psikologjike të këtij portreti, realizmi është mjeti mbizotërues i përfaqësimit të jetës së brendshme dhe një qetësi në modelimin e butë të kontrastit mbështet edhe më shumë përshtypjen e meditimit, mallit, ndjeshmërisë dhe përmbajtjes. Detajet e fytyrës me flokët e vegjël, të shënuar lehtë në ballë, të gjitha të formuara në mënyrë mjeshtërore, theksojnë karakterizimet e saj individuale. I gjithë trajtimi i fytyrës tregon për një vepër arti me cilësi të lartë; artisti i saj ishte një skulptor i shkëlqyeshëm i cili ndoshta punonte në ndonjë qendër arti. Duke marrë parasysh karakteristikat dhe analogjinë stilistike mund të vlerësojmë më saktësisht se ajo daton nga çereku i fundit i shekullit të 4-të.
Koka e burrit
Një kokë mermeri e një burri të fortë të moshës së mesme, i cili duke gjykuar nga madhësia e tij (lartësia 33 cm), ishte pjesë e një statuje në madhësi jetësore. Portreti është sjellë si skulpturë realistike; karakterizohet nga modelimi i thjeshtë: “realizmi” i flokëve dhe mjekrës është gdhendur në një mënyrë të tillë që merret vetëm me lojën e dritave dhe hijeve dhe kur shikohet nga një distancë e caktuar. Në përpjekjen për të përfaqësuar gjendjen psikologjike, edhe këtu vëmendja më e madhe i kushtohet syve ‘dhe shprehjes së tyre dhe ky efekt vihet në dukje në vend të një modelimi më të detajuar të tipareve të fytyrës. Është bërë në mënyrën e artit të vonë portret romak, i cili arriti kulmin rreth mesit të shekullit III kur u krijuan disa nga portretet më të mëdha romake.
Koka e Erosit
Kjo kokë mermeri (lartësia: 15,6 cm) është një Eros i vogël, i plotë, me fytyrë fëmijërore dhe flokë të gjatë, kaçurrelë. Sipas karakteristikave dhe analogjive stilistike dhe konteksteve historike mund të jetë skulptura dhe rrethanat e gjetjes së saj që e bëjnë të pamundur përcaktimin e qëllimit dhe kuptimit të saktë të saj.
Maska tragjike
Një fytyrë e fuqishme mashkullore e modeluar në një mënyrë shumë realiste me karakteristika të qarta të maskës teatrore romake dhe pa tipare pothuajse dhe dalluese të punës. Është bërë në mermer gri (lartësia 27.5 cm) dhe është një vepër e jashtëzakonshme, ndoshta një import nga ndonjë qendër arti më e njohur. U gjet në vendin e Nekropolit të Veriut. Është një nga skulpturat më të mira të gjetura ndonjëherë në Ulpianë dhe ndoshta daton qysh në shekullin II.
Për adhuruesit e historisë e studiuesit e saj, Ulpiana është një vend që gjithsesi ia vlen të vizitohet. Turistët që nuk janë të fokusuar në ndonjë fushë specifike, poashtu mund të gjejnë plotë arsye për të vizituar këtë thesar të së kaluarës. Informacionet e lartëpërmendura mund të shërbejnë si motiv për vizitorët, duke iu mundësuar atyre një rrugëtim në të kaluarën.
Gazetar: Mentor Dinosha
Discussion about this post