Përveç detit, kemi gjithçka tjetër! Ky është mbishkrimi që shikon, sapo hyn në qytetin e bukur të Përmet, i konsideruar ndryshe edhe si “qyteti i trëndafilave”.
Përmeti është një qytet i vogël i shtrirë buzë Vjosës e rrëzë malit të Dhëmbelit duke e bërë një nga qytetet më tërheqës dhe më atraktivë nga pikëpamja turistike.
Për shkak të pozicionit gjeografik shumë të favorshëm, klimës së tij të përshtatshme e sidomos mikpritjes mbresëlënëse, Përmeti është një zonë që ka një shkallë të lartë vizitorësh të huaj dhe vendas.
Sapo mbërrita në hotel, gjëja e parë që më pyetën ishte a tju qerasim me gliko? Të gjithë keni dëgjuar besoj për glikotë e famshme të Përmetit, e sidomos atë me arra.
Përmeti gjithashtu ruan një sërë vlerash si historia, trashëgimia kulturore e fetare, dhe shquhet edhe për qetësinë publike.
Ky vend i mrekullueshëm dhe i veçantë, frymëzoi poetin e madh kombëtar Naim Frashëri për të krijuar poemën e tij të famshme “Bagëti e bujqësia“. “Do këndoj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni/o vëndthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni“, shkruan Naimi, dhe me këtë ka parasysh përmetarët e mrekullueshëm si dhe natyrën e rrallë të këtij vendi, ku kurora e gjelbër ka zbukuruar hijshëm kryet e qytetit të vogël, ndërsa Guri i Qytetit, është kthyer në simbol identifikues, në emblemë të tij.
Pjesa e vjetër e qytetit ka rrugica karakteristike me kalldrëm dhe shtëpi me arkitekturë të veçantë, ndërsa në periferi ka disa ura tipike me harqe, ndërtuar në shekullin e 18-të, si ajo e Katiut, Bënjës etj.
Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.
Ndërsa qershia mbi tortë është zona pedonale, ku qytetarë të shumtë e sidomos turistët dalin për të shijuar ajërin e fresket të darkës, të shëtisin, të konsumojnë darkë, kafe apo edhe xhiron e radhës.
Mundt ë themi se është vend ideal për pushime familjare, por edhe për të rinj. Në një tjetër reportazh të Triptoalbania.al do tju sjellim gjithashtu edhe turizmin e aventurë në këtë qytet.
Discussion about this post