Kosova edhe pse është vendi që ka një sipërfaqe të vogël gjeografike, shquhet për pasuri të shumta natyrore. Kësaj here do të veçojmë lumin e Sitnicës, si një prej atraksioneve më të bukura natyrore. Lumi i Sitnicës fillimisht formohet nga rrjedha e lumenjeve të vegjël Matica, Nerodime dhe Shtime, që bashkohen afër një fshati me emrin Robofc.
Nga këtu e deri në vendin e derdhjes në lumin Ibër afër Mitrovicës, përfshin një gjatësi prej 90 km. Veçori e këtij lumi është pjerrësia e vogël, pra karakterizohet si lumë fushor. E rrjedhjen e saj e ka në formë gjarpëruese nëpër Fushë Kosovë, duke krijuar një pamje të mrekullueshme, duke ju ofruar freski vendeve ku kalon. Lumi Sitnica dallohet jo vetëm nga madhësia e pellgut, por edhe me prurje vjetore. Shtrati i Sitnicës nuk është i qëndrueshëm, gjatë vërshimeve mbulon një pjesë të fushës mes Lipjanit dhe Mitrovicës.
Sitnica i mbledh ujërat e lumit të Gadimës, të Janjevës, të Graçankës, të Prishtinës, të Llapit dhe të Samadrezhës, në anën e djathtë, dhe të Drenicës, e të Lushtës, në anën e majtë. I’a vlen të përmendet se në vitet e ’70-ta ka qenë lumi më i pasur në rajon sa i përket llojeve të peshkut. Ky lumë mbetet si atraksioni më i dashur për peshkatarët, ku shumë prej tyre peshkojnë dhe kalojnë kohë të mrekullueshme rreth këtij lumi.
Discussion about this post