Eksplorimi i natyrës apo zonave të pashkelura më parë mund të jetë një ide shumë interesante për të kaluar një ditë apo një fundjavë të paharruar. Në fakt ky është një trend që është përqafuar së fundmi dhe pasioni i të rinjve për të ekploruar natyrën apo sportin e aventurës është rritur së tepërmi.
I tillë në fakt është sugjerimi ynë kësaj here, vizita e një kanioni mjaft interesant në periferi të Tiranës. Bëhet fjalë për kanionin e Shumokut, i cili është ose shumë pak ose aspak i dëgjuar.
Në fakt kanioni i Shumokut është një destinacion i ri, i zbuluar së fundmi, por që po kthehet në një destinacion të preferuar.
Ndodhet në fund të fshatit Farkë e Madhe dhe në fillim të Priskës së Madhe. Ai ka lartësi deri në 10 metra të mureve të tij. Formacioni shkëmbor është “shtuf” pra shkëmb ranor. Gjatësia e kanionit është rreth 200-300 metra dhe në zona të caktuara bëhet i ngushtë dhe i lartë.
Ndodhet rreth 25 minuta larg ecje nga fshati Farkë e Madhe. Shtegu është plot me pemë të mëdha dhe shumë interesant për t’u eksploruar. Një natyrë e paprekur dhe gjithë ujëra përreth.
Si mund ta vizitojmë atë?
Për ata që e vizitojnë për herë të parë këshillohet që të rezervojnë në guidat që e ofrojnë këtë destinacion, të cilat operojnë me grupe nga 5 persona deri në 20 çdo fundjavë. Nisja bëhet zakonisht në orën 9.00 dhe kthimi rreth orës 16.00Kategoria: Ecje
Vështirësia: Mesatare
Informacion se çfarë ofrojnë guidat
Udhëtohet për në fshatin Farkë e madhe. Pastaj fillohet ecja derisa të arrihet deri në fund të kanionit. Eshtë një destinacion i ri dhe ka një pamje shumë panoramike. Mund të bëni foto dhe video dhe pastaj të pushoni në një fushë të këndshme, ku edhe do drekoni dhe organizoni shumë aktivitete, lojëra, ide rekreative dhe muzikë.
Çfarë ju duhet:
Veshje sportive
Shpirti i aventures
Discussion about this post