Qyteti i Lushnjës zotëron pasuri të shumta kulturore, historike, etnografike madje dhe arkeologjike. Të mbledhura së bashku, për turistin vendas dhe të huaj ato ofrojnë një “prekje” të butë e të ëmbël të kulturës sonë. Janë ftesë për të ardhur, kërkesë për të qëndruar dhe arsye për t’u rikthyer.
Ndoshta për turistët vendas, Lushnja nuk mbahet si një destinacion i mirëfilltë turistik, por për grupe të tëra vizitorësh shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo diasporës, madje edhe turistë të huaj janë të regjistruar si bujtës të disahershëm në Shtëpinë ku më 1920 u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës. Sepse ajo është e vetmja “kala” e kulmeve historike të Shqipërisë që është ruajtur në parametrat e 100 viteve më parë.
Sot askush nuk dyshon që qendra e Lushnjës me sheshin e qytetarëve, shëtitoren moderne, lulishten, pedonalet, ansamblet e godinave historike e kulturore etj, është një mjedis i rrallë kreativ e relaksues.
Lushnja është një qytet në Shqipërinë qendrore. Ajo ka 58.200 banorë dhe është kryeqendra e rrethit së Lushnjës. Qyteti i Lushnjës shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë, buzë kodrave të Darsisë. Territori i tij ze një sipërfaqe prej 37 km². Bashkia Lushnje numëron një popullsi prej rreth 60000 banorë. Qyteti është i ndarë në tetë lagje, të organizuara në pesë rajone.
Objektet e pushtetit vendor janë të vendosura në sheshin qendror, po këtu janë edhe institucionet kulturore artistike, historike, sportive etj. si: Kinoteatri, Muzeu Historik, Biblioteka Publike, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Stadiumi etj. Kinoteatri mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe Zela. Stadiumi i qytetit të Lushnjës mban emrin e legjendës së futbollit lushnjar dhe atij shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Në qytetin e Lushnjës ka një rrjet të tërë institucionesh arsimore dhe kërkimore kombëtare. Instituti i Kërkimeve Bujqësore, tashmë me emërtim të ri, zhvillon prej dekadash një veprimtari të gjerë kërkimore-shkencore me dobi kombëtare. Katër vite më parë, aty u çel filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës. Gjithashtu këtu gjendet edhe shkolla e mesme bujqësore profesionale kombëtare, e cila është hapur dekada më parë. Përgjatë bulevardit kryesor, shtrihet lulishtja e madhe e qytetit. Sipërfaqe të gjelbërta ka edhe në brendësi të lagjeve. Vitet e fundit, rrugët e qytetit janë më të gjelbëruara me pemë dekorative të llojeve të ndryshme.
Lushnja ka një pozitë të favorshme gjeografike. Këtu kryqëzohen arteriet më të rëndësishme të komunikimit ndërqytetës. Autostrada veri-jug kalon pranë qytetit. Nga këtu nis edhe rruga më e rëndësishme e lindjes, Berat -Skrapar e më tej. Gjithashtu nëpërmjet rrugëve dytësore, Lushnja ka shkurtuar distancën me Elbasanin dhe qytetet e tjera të këtij qarku.
Por ne po e nisim me pasuritë e lashtësisë.
Treva e Lushnjës ka qytezën e hershme të Babunjës (Arnisa), e cila daton që në shek VI p.e.s. Dy vite më parë këtu punoi për gati dy muaj një ekip i specializuar arkeologësh të huaj, të udhëhequr nga profesorë gjermanë… Jo shumë larg saj, ngrihet i mirënjohuri, Manastiri mesjetar i Ardenicës, ku thuhet (këtë tezë e mbrojnë edhe murgjit e Manastirit) se ka vënë kurorë i madhi Skënderbe. Këtu kultura dhe antikiteti ndërthuren në të gjithë strukturën e ndërtesave, duke e kthyer atë në një ansambël të vërtet mbresëlënës. Po nuk janë vetëm këto. Pranë qytetit tonë ruhen dy ura të vjetra karakteristike për nga ndërtimi, ura të datuara në shek. XII-XV. Edhe më : për fat, pranë autostradës Lushnjë-Fier ngrihen Kishat mesjetare të Krutjes, Bishqethmit, Kadipashajt, Toshkëzit, madje jo shumë larg kësaj autostrade ndodhen kishat e famshme të Karavastasë. Të parë në këndvështrimin e afrueshmërisë, objektet janë lehtësisht të vizitueshëm.
Nëse do të flisnin për ndërtimin e këtyre kishave, do të veçonim se, veç hershmërisë, ato ruajnë diçka të bukur tepër origjinale, pra diçka të veçantë nga kishat e tjera të Shqipërisë. Për shembull, ato dallohen për hajatet e mëdhenj strehues, të cilët, veç të tjerave, mbyllin brenda tyre kambanoren e kishës, një stil që tashmë identifikohet si “të tipit myzeqare”.
Muzetë në qytetin e Lushnjes
Lushnja në qytet ka tre muze, atë Historik, brenda të cilit është edhe Galeria e Arteve, Shtëpinë Kongresi i Lushnjës, Muzeun e Sportit – besojmë nga të rrallët në Shqipëri – si dhe 2 dhoma – muze : për Kongresin Kombëtar Arsimor të vitit 1920 dhe të Dëshmorëve. Sakaq në qytet ka edhe një monument të realizmit socialist – vepër e skulptorit të njohur Perikli Çuli – mjaft i kërkuar nga turistët amerikan, çek dhe gjerman…Por edhe shqiponjën – obelisk kushtuar Kongresit Kombëtar të Lushnjës, të janarit 1920, si dhe memorialin që dëshmon Aktin e ngritjes së Flamurit dhe Shpalljen e Pavarësisë më 27 nëntor 1912…Ne ndjehemi mirë kur dhjetëra të rinj sidomos, lushnjarë e të ardhur, fotot që përhapin në adresat që duan i bëjnë gjithmonë pranë këtyre objekteve.
Turizmi natyror
Treva e Lushnjës ofron shumë mundësi relaksi dhe zbavitjeje për dashamirë të ecjeve në natyrë, janë trajektoret përreth kodrave mjaft piktoreske të Darsisë dhe të Karatoprakut, ku janë zhvilluar beteja të njohura që në kohën e romakëve, por edhe më vonë. Veçojmë betejën midis Jul Çezarit dhe Pompeut apo betejën e Savrës, të vitit 1387… Për më tepër, kjo trevë ofron mundësinë për të zhvilluar edhe sportet ujore. Mendojmë se zona ku mund të tërhiqet turizmi vendas apo i huaj janë rezervuarët e Kasharajt, Thanës, Kryekuqit etj., të cilët përveç gjelbërimit, afrojnë dhe çlodhje. Pse jo edhe udhëtime të organizuara me varka.
Madje, për ecje natyrore mund të pëlqehet dhe kodra e Stan Karbunarës ku ruhen themelet e një kalaje të hershme. Një ëndërrimtar i guximshëm ndoshta mund të mendojë aty një teleferik i cili mund ti jap pushuesit mundësinë “të prek” me shikim të gjithë fushën e Myzeqesë, si dhe të freskohet me burimin e Mollasit, pika më e lartë këtu, 299 m mbi nivelin e detit.
Por edhe kodra mister e Vainit mbi Lushnjë. mund të përdoret për turizëm. Fjala vjen, shumë pak e dinë që këtë kodër ruhen dëshmitë e një Bazilike 1500 – vjeçare.
Të kalojmë tek Divjaka një qytet i ri dhe një bashki më vete, gjithësesi brenda kontureve të hershme të Lushnjës. Bukuria e natyrës flet vetë. Pishat, mbi 10 km bregdet, vlerat kurative të ansamblit harmonik pyll- rërë – det -, ecjet në natyrë etj., e bëjnë atë më të kërkuarën dhe më të bukurën, dhuratë e zotit që e meriton vlerësimin perl të natyrës. Këtu mund të ofrohen garat e hipizmit, lundrimit pse jo edhe të eksplorimit të pyllit të saj. Mjaft e kërkuar nga turistët e huaj. Jo shumë larg nga Divjaka ndodhet laguna e Karavastasë, tashmë e mbrojtur. Moratoriumi për gjuetinë e ka gjallëruar tërë zonën me prurje të mëdha shpendësh, mbi të cilat qëndron “zoti mbret”, pelikani kaçurrel, i vetmi në llojin e vet në gjithë Mesdheun…Eshtë një hapësirë e tërë, pra, e cila ofron të gjitha mundësitë për zgjerim të dijeve dhe relaks…
Eshtë afër mendjes që në këto hapësira mund të njihesh e të shijosh edhe gatimet tipike të zonës, – gjithmonë të bollshme, të shumëllojshme e të freskëta, – fal restoranteve të vendosura buzë rrugës.Të tilla ka brenda në qytete, ka buzë detit, brenda në pyllin e Divjakës e mbi kodrën e pishave në Ardenicë, i sheh përgjatë autostradës, por mund t’i kërkosh edhe në Ballagat e Kryekuq, kudo në këtë trevë. Dhe një garanci e kumtojmë “duke vënë duart në zjarr” : kudo gjen mikëpritje, mikëpritje, mikëpritje; kudo ke bollëk, bollëk, bollëk; kudo prek shije, shije, shije, kudo, kudo, kudo ndihesh si në shtëpinë tënde…
Me pak fjalë, Lushnja i ka të gjitha mundësitë reale për zhvillimin e turizmit. Mjafton që ajo të ketë edhe pak më shumë vëmendjen e posaçme të Qeverisë…
Discussion about this post