Prizreni, qyteti i lidhjes së përhershme shqiptare

Me një pozitë gjeografike të favorshme që lidhë trojet shqiptare dhe me një sërë ngjarjesh historike të ndodhura në luftën për ruajtje identiteti, Prizreni është një kryeqendër historike e shqiptarëve.
Ky qytet, ekzistencën e të cilit të dhënat arkeologjike e vendosin në antikitet, përbën një koleksion kulturash të përvetësuara ndër shekuj. Dhe gjithë ky koleksion është i gatshëm të shpaloset për mikpritjen e turistëve, qoftë shqiptarë apo të huaj.

Qyteti më jugor i Kosovës shtrihet në rrafshin e Dukagjinit dhe e gjithë komuna përbën 5.94 përqind të territorit të Kosovës apo 627 km2 sipërfaqe. Në komunën e Prizrenit jetojnë  177,781 banorë.

 

Rrafshi i Prizrenit gjendet në lartësi mbidetare prej 400 metra derisa disa nga majat e bjeshkëve të Sharrit tejkalojnë lartësinë mbidetare prej 2000 metrash.
Komuna e Prizrenit në veri kufizohet me komunat e Suharekës, Rahovecit dhe Mamushës, në jug me komunën e Dragashit, në lindje me komunën e Shtërpcës dhe në perëndim me kufirin e Republikës së Shqipërisë.

Prizreni edhe klimën e ka të larmishme. Në viset e ulëta dominon klima mesdhetare, ndërsa në viset malore ajo e alpeve. Prandaj, në një largësi jo të madhe mundet që gjatë stinës së pranverës lart në male të shijohet vende-vende bora derisa poshtë në qytet fryma që sjell Mesdheu.

 

Historitë e Prizrenit

Duke iu referuar të dhënave arkeologjike, në Prizrenin e sotëm që dikur njihej me emrin Theranda, banonte një popullsi dardane. Shekulli XI e rendit Prizrenin si një qendër të Ipeshkvisë të Perandorisë Bizantine. Ndërsa nën sundimin e serbëve gjatë shekujve XII-XIV, në qytet u dyndën pjesëtarë të popullsisë sllave. Hera-herës në Prizren u vendosën edhe seli të mbretërive të tyre.

Periudha që la më së shumti gjurmë në arkitekturën dhe kulturën e sotme të Prizrenit ishte ajo e ardhjes së osmanëve në vitin 1445. Deri në shekullin XIX Prizreni u kthye në një qytet të fuqishëm ekonomik, duke u bërë qendra e dytë më e rëndësishme ekonomiko-tregtare e trojeve shqiptare me rreth 1500 dyqane, në fund të kësaj periudhe. Sipas vjetarit turk të vitit 1874, qyteti i Prizrenit kishte 44.000 banorë, ku mbi 35.000 ishin shqiptarë.

 

10 qershori i vitit 1878 solli figurat më të shquara shqiptare për të treguar revoltën për padrejtësinë e ndarjes së tokave të tyre. Edhe sot e kësaj dite, çdo 10 qershor mblidhen krerët e lartë të institucioneve të shteteve ku jetojnë shqiptarët për të dëshmuar që Prizreni do të mbesë kryeqytet historik që bën bashkë ata.
Çka s’duhet t’iu ikë pa e parë në Prizren?

Shatërvani dhe sheshi

Sigurisht që emri më i shpeshtë i përdorur ndër prizrenas është Shatërvani meqë kroi ikonik është mu në mes të pjesës antike të qytetit dhe është fare afër xhamisë së Sinan Pashës, Urës së Gurit dhe kafeneve më të frekuentuara.  Prandaj, vizita te ky monument duhet të jetë thuajse e domosdoshme për të shijuar zemrën e Prizrenit.

Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Monumenti i shekullit XIX, i cili është nën mbrojtje të shtetit,  është referencë uniteti mbarëshqiptar.
Kompleksi gjendet anës lumit Lumbardh që ndan qytetin, afër Marashit  dhe shpatave të Kalasë së Prizrenit. Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës dhe Tyrbja.

 

Muzetë

Qyteti padyshim që ka edhe të dokumentuar historinë e tij. Përveç objekteve që dëshmojnë lashtësinë e tij, në Prizren gjenden edhe një numër muzesh me artefakte si Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu Arkeologjik me më shumë se 790 gjetje arkeologjike nga rajoni i Prizrenit, Muzeu i Hidroelektroekonomisë “Prizenasja”. Po ashtu, shtëpitë e vjetra të qytetarëve përbëjnë një vlerë të shtuar historike dhe kulturore, si dhe një atraksion të veçantë për turistët.

Prizreni është shtëpi edhe e shumë objekteve fetare dhe njihet edhe si qytet i xhamive për shkak se shumica e banorëve janë të besimit islam. Vendndodhja fare pranë njëra-tjetrës e xhamive dhe kishave është tregues i mirë i një bashkëjetese ndërshekullore të feve. Këto objekte përpos rëndësisë për religjionet janë jashtëzakonisht me vlerë për qytetin për shkak të vjetërsisë së tyre.
I gjithë ky diversitet komunitetesh që jeton në rajon të Prizrenit me doemos kanë lënë shenjë edhe në ushqim. Prandaj, shumëllojshmëria me receta origjinale dhe të ruajtura mirë duhet të jetë edhe një arsye e fortë për të ardhur në Prizren.

 

 

Discussion about this post

Related Posts