Është një prej pikave arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe, si i tillë, ka marrë statusin Park Arkeologjik. Gjendet pranë fshatit të Hekalit, në Mallakastër, në një distancë 4 km larg nga rruga nacionale Ballsh-Tepelenë.
Njihet si kryeqendra e fisit ilir të Bylinëve, i themeluar në shek. IV p.e.s. Sipas mitologjisë, Bylisi u krijua nga Neoptolemi, i biri i Akilit, fakt që i jep qytetit një rëndësi homerike. Rrënojat antike gjenden në një kodër.
Qyteti antik si fillim është njohur me emrin Bulis, në ngjarjet e vitit 49-48 p.e.s, kur qyteti iu dorëzua Cezarit. Ndërkaq, Plini, në gjysmën e parë të shek. I e.s., e cilësonte Bylisin si një koloni romake.
Gjatë shek. II dhe III p.e.s., qyteti preu monedhat e veta. Rrënojat e sotme përbëhen nga muret, teatri, bazilika brenda mureve rrethuese etj. Përgjatë rrugës automobilistike që lidh Lushnjën me Fierin, në majën e një kodre të lartë, ngrihet Manastiri i Shën Mërisë së Ardenicës.
Ky monument përfaqëson një nga ndërtimet religjioze më të mëdha të zonës së Myzeqesë. Në anën perëndimore të kodrës, ku shtrihet Manastiri, kalonte dega jugore e rrugës “Egnatia”, e cila vazhdoi të përdorej edhe në periudhën mesjetare. Manastiri paraqet interes jo vetëm për vlerat e tij arkitekturore dhe artistike, por edhe për historinë e pasur që mbart.
Burimet historike bëjnë fjalë për kohën e themelimit të tij në kohën e Despotatit të Epirit, në shek. XIII–XIV. Bylisi Gojëdhënat e identifikojnë atë si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastriot Skënderbeut me Andronika Arianitin në vitin 1451, ndërsa mbishkrimi që mban datën 1 maj 1477 dëshmon për ekzistencën e Manastirit në këtë periudhë.
Manastiri i Ardenicës përfaqëson një ansambël arkitekturor me planimetri trekëndore, ku në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”. Kisha është zbukuruar me afreske në vitin 1744 nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zoografi.
Pa dyshim që një nga objektet natyrore më të bukura të bregdetit shqiptar të kësaj zone është plazhi i Divjakës dhe laguna e Karavastasë.
Discussion about this post