Sahat Kulla në Prishtinë

Qëndron ne cep të rrugës duke ‘komunikuar’ në çdo kohë me njerzit.

Fjala është për Sahat Kullën, e cila përveç historisë shumë vjeçare të saj, shërbente edhe si orë në mënyrë që besimtarët do të dinin kohën për të shkuar në xhami, si dhe të gjitha dyqanet do mbylleshin dhe hapeshin në të njejtën kohë.

Ky monument historik, i ka mbijetuar kohës ndër shekuj, ndryshimi është se Kulla origjinale ishte e ndërtuar nga tullat, version i ri është i suvatuar dhe i ngjyrosur me të bardhë.

Sahat Kulla, një monument i vjetër i trashëgimisë kulturore, gjendet në bërthamën e zonës kulturore-historike të Prishtinës, është ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore e ndërtuar në shekullin XIX.

 

Sahat Kulla gjendet në pjesën qendrore të pjesës së vjetër të Prishtinës, në afërsi të Xhamisë së Mbretit.

Është një ndër monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në Prishtinë.

Në këtë sahat kullë gjendej kambana e vjetër të cilën turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi e morën si plaçkë lufte dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vendosën në sahat kullë. Sipas urdhrit të Jashar Pashës, kambana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë.

 

Në sipërfaqen e këmbanës gjendej mbishkrimi rumun nga viti 1764 i vojvodës Jan Moldovanit që në përkthim do të thotë:

“Kjo Kambanë është punuar për vojvodën Jan Moldovanin në vitin 1764”.

Shkronjat janë të mëdha me gjatësi 2 cm dhe shtrihen përreth tërë sipërfaqes së këmbanës.

Këmbana është dekoruar me numër të madh të ornamenteve të ngjajshme me gjethet e ahut.

Edhe pse ka kaluar rrugë të gjatë dhe shpesh ka ndërrruar vendet dhe selitë, ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime të mëdha.

 

Sahat Kulla, është ndërtesë me bazë gjashtëkëndëshe dhe lartësia e saj është 26 m, e murosur me gurë deri në lartësinë 16.5m dhe me tulla të plota në pjesën tjetër të ndërtesës.

Konstruksioni i kulmit është prej druri të mbuluar me plumb. Në të gjitha fasadat e sahat kullës ka hapje të vogla harkore.

Këndet e ndërtesës janë të ndërtuara me gurë të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse sipërfaqet në mes janë të ndërtuara me gurë të parregullt të lidhura dhe të suvatuara gjithashtu me llaç gëlqeror.

Në brendi janë shkallët rrethore, në të cilat janë të vendosura pllaka të gurëve, me trashësi prej 3 cm. Në pjesën e sahat kullës të ndërtuar prej tullave shkallët janë prej druri, çka tregon se kjo pjesë është ndërtuar më vonë.

 

Discussion about this post

Related Posts