“Kush kalon një fundjavë në Alpe, jeton 100 vjet”. Kjo është një thënje e vjetër e malësorëve shqiptarë, e cila merr plot kuptim nëse vërtetë kalon disa netë në njërin prej vendeve me bukuri dhe përjetim të pashpjegueshëm, në Lumin e Shalës. Ky lum, është bërë i njohur vetëm pak vite më parë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe jashtë vendit, pasi fotografitë e para të publikuara nga atje kanë lënë pa frymë secilin që i ka parë ato. Tashmë fundjavat verore në këtë vend janë për plotë me turistë nga Kosova, Shqipëria dhe plotë të huaj, të cilët vazhdojnë të mbesim të mahnitur me bukuritë por edhe mikpritjen e banorëve vendas.
Por, ky vend ka një histori shumë para se të bëhet i njohur dhe para se të bëhet një lokacion i kërkuar nga turistët. Emri i luginës së Shalës përmendet qysh në kohët e hershme, ndërsa e dokumentuar si toponomi përmendet në mes të viteve 1400 në një vizitë që, sipas legjendës, Skënderbeu e pati bërë në Shalë në vitin 1454, me qëllim të pajtimit dhe mobilizimit të fiseve të kësaj zone. Shala përmendet edhe në peiudhën e Lekë Dukagjinit, udhëheqësit të Dukagjinit. Sipas legjendës, Leka i kishte kaluar vitet e fundit të jetës i tërhequr tërësisht pikërisht në Shalë. Sot, njihet lokacioni “Guri i Lekës”, vend ku mendohet se princi shqiptar kishte qëndruar me ditë të tëra duke vështuruar pamjen mahnitëse. Sot “Guri i Lekës” është bërë një pikë referuese për turistët dhe adhuruesit e ecjes malore.
E ndonëse personazhet dhe kohërat tashmë kanë ndryshuar në këtë vend, ambienti dhe mikëpritja vazhdojnë të mbesin të njejtat. Gjithçka për rikthimin e Shalës në qendrën e vëmendjes kishte filluar jo më shumë se 10 vjet më parë. Vëllezërit Petrit dhe Paulin Qeta, familja e të cilëve kishte migruar shumë vite më parë nga Shala në Shkodër, ishin kthyer nga Norvegjia ku po punonin e po jetonin, me idenë që thjeshtë ta vizitojnë vendin e paraardhësve të tyre. Por, të mahnitur nga pamja dhe bukuria që ofronte ky vend krejtësisht i virgjër, ata kishin vendosur që ta ndërtonin një kasolle të vogël prej druri, për ta shfrytëzuar atë për qëndrim familjar. Por, kishin qenë disa turistë avanturierë të huaj të cilët pasi kishin kaluar një natë në kasollen e tyre, të pritur me traditën dhe bujarinë malësorqe, e kishin përmendur mundësinë që ky vend mund të ofrojë për zhvillimin e turizmit të zonës.
Pjesa tjetër e historisë mund të paramendohet. Vëllëzërit Qeta kishin vendosur që të gjitha kursimet e veta t’i investojnë në ndërtimin e një bujtine modeste në pritje dhe shërbim të turistëve, ndonëse kjo gjë ishte një ndërmarrje tejet e vështirë dhe pothuajse e pamundur. Prona e paraardhësve të tyre nuk kishe rrugë makine e as rrugë tokësore. E vetmja rrugë për të shkuar atje ishte ajo ujore përmes liqenit të Komanit. E për të qenë edhe më e vështirë, kjo zonë nuk kishte as elektrifikim. Por, asgjë nga këto nuk i penguan Petrit dhe Paulinin që të derdhin kursimet e tyre në këtë vend. Ishte dashuria për tokën e paraardhësve dhe dëshira për ta kthyer këtë vend në një pikë të lakmueshme turistike ajo që i motivonte ata përballë të gjitha rreziqeve financiare.
Gjithçka filloj me shumë sakrifica e mundime fizike, por optimizmi nuk i lejonte të dorëzoheshin. Dhe, me fillimin e aktivitetit filluan edhe turistët e parë, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë adhurues të aventurave dhe të së panjohurës. Sot Petritit dhe Paulinit, që ende vazhdojnë të punojnë pa energji elektrike dhe me kushte ekstremisht të vështira, u janë bashkangjitur edhe shumë banorë tjerë të zonës, të cilët poashtu kanë ngritur bujtinat e veta. Të gjithë këta janë njerëzit që me mundin dhe sakrificen e vet e kanë ngritur këtë vend, ndërsa sot vazhdojnë të jenë personat e parë që do të takosh në Lumin e Shalës, e të cilët vazhdojnë të të presin me respekt e bujari të pa fund.
Lumi i Shalës tashmë është bërë njëri prej destinacioneve më të kërkuara në Shqipëri. Ndonëse udhëtimi deri atje nuk është i lehtë, ai paraqet një kënaqësi të llojit të vet. Udhëtimi bëhet me varka, nga dy porte në të dyja anët e liqenit të Komanit. Porti i Komanit ndodhet në anën e Shqipërisë ndërsa nga aty, udhëtohet me varkë përmes liqenit për rreth 1 ore. Nga ana tjetër, ndodhet porti i Fierzës në afërsi të qytetit të Bajram Currit dhe vetëm 52 kilometra nga qyteti i Gjakovës. Udhëtimi nga Fierza deri në Lumin e Shalës zgjatë rreth 2 orë e 30 minuta, ndërsa kalohet përmes një pamje fantastike në luginën e Drinit, sot Liqeni i Komanit, i rrethuar me male të larta e shkrepa, ndërsa aty këtu edhe ndonjë shtëpi lokale me njerëz të dashur e mikpritës.
Zhvillimi i shpejtë i Lumit të Shalës ka paraqitur nevojën edhe për zhvillim të transportit. Në këtë drejtim, tashmë janë me dhjetra varka të banorëve lokal në të dyja anët e liqenit, që të sigurojnë një udhëtim të bukur, të sigurtë dhe me një kosto të përballueshme. Mjafton një kërkim në internet dhe mundësitë para teje janë të shumta. Sa i përket akomodimit për ata që dëshirojnë të qëndrojnë më shumë se një ditë, ekzistojnë mundësi të shumta. Përpos bujtinave të vendasve, të cilat ofrojnë komoditet dhe pastërti, ekziston edhe mundësia e kampingut për grupe të ndryshme. Një natë e kaluar në këtë vend, rreth zjarrit dhe me pamjen e miliona yjeve që mund të shihen përmes grykës së Shalës, është e pazëvendësueshme nga dhjetra netë në të gjitha hotelet luksoze në secilin vend të botës.
Një segment tejet i rëndësishëm është edhe ushqimi që ofrohet në këtë pjesë. Ashtu siç e kanë ruajtur natyrën, duke bërë ndërtime krejtësisht nga masa drunore, banorët e Shalës e kanë ruajtur edhe traditën e vjetër të ushqimit. Mishi i pjekur i kecit dhe peshku që është me bollëk në këtë zonë, janë dy nga ushqimet kryesore që ofrohen. Por, këtu nuk mungojnë edhe ushqimet përciellëse e krejtësisht natyrale, djathi, kosi, mjalta, patatet e zonës e perimet tjera të kultivuara aty për aty, rakia tradicionale e të tjera.
Përpos freskisë në ditët e ngrohta të verës, larjes, lundrimit dhe peshkimit në Lumin e Shalës dhe Liqenin e Komanit, Shala ofron edhe shumë mundësi tjera atraktive. Ndër më të preferuarat kohëve të fundit është edhe hikingu apo ecja malore, pasi banorët e zonës kanë hapur dhe shënuar shumë shtigje interesante dhe të bukura. Vlenë të përmendet “Guri i Lekës”, apo vizita në fshatin Mollë e Shoshit, me një pamje tejet mahnitëse të zonës, maja e Komlenit, ballkoni i Sgjatit e plotë të tjera.
Gjatë qëndrimit në Shalë, me pak fat mund të takosh dy nga punëtorët më të mëdhenjtë për zhvillimin e kësaj zone, Zef Gjeta dhe Ndoc Mulaj, të cilët në vazhdimësi angazhohen në hapjen dhe shënimet e shtigjeve të reja të ecjes dhe promovimin e tyre të vazhdueshëm. Ata së fundmi kanë hapur dhe shënuar edhe shtegun nga Thethi deri në Lumin e Shalës, një shteg ky që viteve të ardhme pritet të jenë në qendër të vëmendjes nga adhuruesit e ecjes malore. Zefi dhe Ndoci pa hezitim mund të jenë guidat tuaja jo vetëm në ecje malore por edhe në rrëfimin e legjendave dhe historive të ndryshme të zonës.
Kosova dhe Shqipëria kanë plot vende të bukura që ia vlenë të vizitohen. Por, në mesin e tyre Shala me lumin e vet janë paksa më të veçanta. Janë pak vende të tilla ku gërshetohen kaq bukur historia e tradita, me natyrën e të bukurën, legjendat e gojdhenat dhe të rinjtë e shumtë që duke dëgjuar e duke u fryëzuar nga ato, sot i japin jetë e gjallëri këtij vendi të bekuar nga Zoti.
Sot Lumi i Shalës nga shumë njerëz është pagëzuar me emrin “Tajlanda Shqiptare”, duke u bazuar në bukuritë e shtetit aziatik. Por, shumë më shumë të tjerë mendojnë se Lumi i Shalës është padiskutim një vend i veçantë dhe me karakteristika që e bëjnë atë unik dhe të pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër në botë. Thjshtë Lumi i Shalës. Vendi nuk ke se si të mos ndjehesh krenar me të kaluarën dhe të tashmen, nuk ke se si të mos ndjehesh i impresionuar me bukurinë që të rrethon e nuk ke se si të mos ndjehesh falenderues me mikëpritjen dhe respektin e banorëve.
Gazetar: Artan Haraqia
Discussion about this post