Keni dëgjuar për Leskovikun! Zbulojeni mes Triptoalbania.al dhe udhëtoni drejt tij

Nëse dëshironi të vizitoni një destinacion shumë interesant dhe pak të njohur ju sugjerojmë zonën e Leskovikut. Nga Qafa e Barmashit, rruga vazhdon drejt pyjeve madhështore të Gërmenjit, të cilat shtrihen deri në afërsi të qytezës së vogël të Leskovikut. Këto janë pyje halorësh, ku mbizotërojnë pisha e zezë, bredhi etj., arealet e të cilëve zënë 70 për qind të sipërfaqes pyjore të Gërmenjit prej 7.300 hektarësh.

Zona e pyjeve të Gërmenjit është një areal mjaft i përshtatshëm klimaterik, i cili shtrihet midis lartësive nga 1.100 deri në 2.044 metra mbi nivelin e detit. Këtu rriten edhe bimë të tjera, si dëllinja e zezë dhe e kuqe, salepi, çaji i malit, shtogu, etj. Fauna e këtij pylli përfaqësohet nga derri i egër, ujku, ariu i murrmë, dhelpra, lepuri i egër, sorkadhja. Pylli i Gërmenjit është një vend mjaft i përshtatshëm për ekskursione, kampingje, etj. Në territorin e këtij pylli gjendet një bar-restorant, ku, krahas shërbimeve bazë, mund të shihni edhe një kopsht të vogël zoologjik, i cili është mjaft interesant dhe zbavitës, veçanërisht për fëmijët.

Në rrugën nga Gërmenji në Leskovik, duke iu shmangur rrugës nacionale Mali i Gramozit dhe udhëtuar drejt perëndimit, do të arrini në fshatin Vrepçkë, i cili është i njohur për natyrën e bukur e të paprekur, sidomos për ujëvarat e tij. Pas pyllit të Gërmenjit shfaqet qyteza e vogël e Leskovikut. Leskoviku është i njohur veçanërisht për formacionet e orkestrinave popullore, të quajtura sazet e Leskovikut, si dhe për llojet pylli i Gërmenjit përfaqësohet nga derri i egër, ujku, ariu i murrmë, dhelpra, lepuri i egër, sorkadhja. Mbi të gjitha, Leskoviku përmendet për burimet e ujërave termale. Këto të fundit gjenden 10 km në jug të qytetit dhe njihen si burimet e Vronomeros. Janë burime termale pasi janë të pasura me kripëra të ndryshme, që trajtojnë disa lloje sëmundjesh e komplikacionesh. Temperatura e ujërave shkon nga 29–40 gradë C. Në këtë pikë ofrohet akomodim modern me staf të specializuar mjekësor, shërbime të ushqimit dhe akomodimit. Për t’u përmendur janë edhe banjat e avullit të Postenanit, të cilat ndodhen gjithashtu në këtë zonë.

Në jug të Leskovikut, në fshatin Cerkë, gjendet Kisha e Shën Mërisë, e cila shquhet për afresket e saj. Ajo ngrihet mbi një breg shkëmbor, pjesë të të cilit përfshihen brenda mureve. Kisha përbëhet nga një narteks i vonë, që shtrihet në anën perëndimore dhe atë jugore, nga naosi drejtkëndor në plan dhe mjedisi i altarit. Brendësia e kishës është dekoruar me afreske të një cilësie të lartë artistike, studimi i të cilave ka çuar në përfundimin se prototipat e tyre gjenden në Veriperëndim të Maqedonisë së Veriut dhe stili, si i sintezave të përbëra edhe atyre të paraqitjeve individuale, pasqyron lidhje të ngushta me ansamblet piktoreske që u pikturuan në këtë zonë në pjesën e tretë të shek. XIV.

Triptoalbania.al ju sjell një “copëz” Shqipërie për tu vizituar.

Discussion about this post

Related Posts