Shpella e Haxhi Alisë

Shpella e Haxhi Aliut ndodhet në gadishullin e Karaburunit.

Banesa më e sigurt e Haxhi Ali Ulqinakut është shpella, e cila mban edhe emrin e tij. Është më e madhja shpellë e bregdetit shqiptar, me një lartësi në hyrje 60 m mbi nivelin e detit. Kjo shpellë ndodhet në skajin veriperëndimor të Kepit të Gjuhëzës. Sipas historianëve, kjo shpellë emrin e vjetër e ka shpella iliriane.

Shpella iliriane e përdorur nga detari me famë, ulqinakasi, Haxhi Aliu, është një dëshmitare interesante e historisë. Duke u futur në brendësi të shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas VP–JL dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës Veri Lindore të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës përballë hyrjes paraqiten stalaktite të pjerrta me origjinë të mundshme organogjene ose të perzier. Në hyrjen e saj janë gjetur fragmente amforash antike të shekujve të parë të epokës sonë. Kjo shpellë vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e detarëve të huaj e shqiptare.

Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendsave në Karaburun.
Rreth viteve 1540–1545, është përdorur nga piratët frëng për t’u mbrojtur siç thonë edhe toponimet afër shpellës.

Discussion about this post

Related Posts