Hey miq të Triptoalbania.al, sot kam vendosur tju sjell disa nga sported e aventurës në kryeqytet. Jeni të apasionuar pas sporteve ekstreme apo aventurave, epo në këtë shkrim do të gjeni disa nga sported më të bukura dhe plot adrenalinë.
Gjatë viteve të fundit, Tirana ka përqafuar të gjitha llojet e sporteve, e veçanërisht sportin e aventurës. Nëse ju pëlqen të ngjiteni në mal, të notoni, të luani tenis ose të bëni hipizëm në Tiranë do të gjeni vendin e duhur. Edhe pse ka shumë pak klube të organizuara, të apasionuarit pas sportit do t’a gjejnë gjithmonë një zgjidhje. Dhe ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.
Parku i Aventurave në Dajt Tirane
Dajti Adventure Park është hapur në Korrik 2017 dhe është bërë mjaft popullor. Ju mund të shkoni me makinë, ose me teleferik. Udhëtimi me teleferik është akoma më magjepsës, pasi mund të shijoni pamjen e mahnitshme mbi fshatrat dhe kodrat e Tiranës. Dhe më e mira është se çmimi i udhëtimit me teleferik është i përfshirë në çmimin e biletës për në Parkun e Aventurave në Dajt. Hyrja në parkun e aventurës kushton 10 euro (1400 leke) për të rriturit dhe për fëmijët 8 euro (1000 leke) (përfshirë udhëtimin me teleferik).
Ky park është për të gjitha moshat. Për fëmijët deri në moshën 7 vjeç janë lojërat dhe shtigjet e lehta. Lojërat e tjera për fëmijët mbi 8 vjeç dhe për të rriturit. Nuk duhen teknika të veçanta ngjitje, as përgatitije fizike. Është një vend për t’u argëtuar, për të provuar guximin, për të kapërcyer frikën tuaj dhe për të shijuar natyrën e bukur në pyll. Niveli i vështirësisë fillon në një nivel të ulët, shënuar me ngjyrë të verdhë dhe përparon në një nivel shumë sfidues i shënuar me ngjyrë të kuqe. Fëmijët janë ata që e duan dhe shijojnë më shumë Parkun e Aventurave. Në park ata mund të veprojnë në mënyrë të pavarur, të përpiqen dhe të dështojnë dhe të përpiqen përsëri, të kapërcejnë frikën e tyre pa asnjë rrezik. Çdo shteg përfundon me rrëshqitje në litar, ku njerëzit ulen me shpejtësi nga lart-poshtë. Kjo është një përvojë fantastike, dhe gjithkush do të donte ta përsëriste shumë herë. Shumë të huaj apo turistë po e frekuentojnë këtë park që kur u hap. Kjo është një arsye tjetër për të vizituar Malin e Dajtit, nga i cili pamja është spektakolare.
Adresa: Parku Kombëtar i Dajtit
Merrni teleferikun e Dajtit për të shkuar atje.
Dajti Mini Golf në Tiranë
Dajti Mini Golf është fusha e vetme e mini golfit në Tiranë. Kjo pistë në mes të ajrit të freskët në malin e Dajtit është kthyer tashmë ndër argëtimet e preferuara në Dajti Ekspres. Fusha e Mini Golfit u hap në Tetor 2018, një vit pas hapjes së Dajti Adventure Park. Pista është e strukturuar me 18 gropa si për të rritur dhe fëmijë.
Oraret e hapjes:
9:00-20:00
Çmimet
Mosha 12+ (700 lekë)
Mosha 5-12 (500 lekë)
Mosha 2-5 (200 lekë
Rock Tirana Climbing Center
Rock Tirana Climbing Center është një palestër fantastike malore, ku alpinistët mund të sfidojnë limitet e tyre fizike dhe të mësojnë rreth këtij sporti aventure. Kjo palestër është krijuar nga një grup të rinjsh, disa vite më parë. Gjendet diku prapa Qytetit Studenti në Tiranë.
Është e vetmja palestër e këtij lloji në Tiranë. Shumë fëmijë përdorin këtë vend për të mësuar rreth këtij sporti, por gjithashtu organizojnë dhe ditëlindje apo aktivitete shkollore. Gjithashtu kjo qender organizon dhe kurse trajnimi duke praktikuar ngjitjen në zonën malore rreth Tiranës.
Adresa
Rr. Ali Visha, Nr 8 Tirana
Udhëtim me Balonë në Tiranë
Keni menduar si është të udhëtosh me balonë? Atëherë mos ëndërroni më, por përjetojeni me Hot Air Balloon Albania. Udhëtimi zgjat zakonisht 1 orë e 30 minuta dhe do të mrekulloheni nga ndjesia e fluturimit me balonë, saqë do të donit ta përsërisni sërish. Hot Air Balloon Albania është e vetmja në Shqipëri dhe që drejtohet nga Uran Qyflaku.
Discussion about this post