Ekzistojnë disa vende të veçanta, për të cilat Zoti dhe natyra kanë rezervuar një të shkuar me plot lavdi e histori e një të ardhme të ndritur e të rëndësishme. E tillë është edhe Kosharja e Gjakovës. Një fshat i vogël, në mes të një zonë tejet atraktive malore me po të njejtin emër, ndodhur në Bjeshkët e Nemuna në kufirin që dikur i ndante por sot i bashkon Kosovën me Shqipërinë.
Ky lokacion ka qenë i populluar shumë herët. Është i dokumentuar fakti se në periudhën ilire, në bjeshkët e Koshares ka ekzistuar qyteza – fortifikatë e Jerinës, një kështjellë mesjetare, e cila falë edhe terrenit malor ka shërbyer si vend i mbrojtjes për popullsinë apo luftëtarët e asaj periudhe. Edhe sot, në lokacionin e quajtur “Rrasa e Koshares”, mund të hasen gjurmë të pakta të ekzistimit të kësaj qyteze.
Por, për shumë njerëz, bjeshka e Kosharës është bërë e njohur vetëm në fund të viteve të 90-ta, përkatësisht në vitin 1999, pasi në këtë vend është zhvilluar njëra prej betejave më historike, më të përgjakshme por edhe më të rëndësishme në aspektin moral, strategjik e ushtarak të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës.
Me një pregatitje paraprake tejet profesionale e stategjike nga eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni, Rrustem Berisha e të tjerë, pas një beteje të përgjakshme, me 9 prill 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arrita ta thejë kufirin shqiptaro – shqiptar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky veprim, solli disa ndikime pozitive në shumë aspekte në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për Liri. Kjo beteje zgjati pa ndërprerë deri me 10 qershor 1999, dhe gjatë kësaj periudhe shërbeu për motivimin dhe mobilizimin të luftëtarëve shqiptarë nga shumë vende të botës. Shërbeu për ngritjen e moralit dhe bashkimin e mendimeve të ndryshme politike që deri atëherë kishin qenë në përqarje të thellë. Thyerja e kufirit dhe hapja e tij, pos karakterit motivues për bashkim, kishte edhe karakter ushtarak për faktin se zona e lirë shërbeu për furnizim me armatim dhe lëvizje të ushtarëve për në zonat më të thella të Kosovës.
Kosharja si atraksion turistik
Për faktin se në të kaluarën ka qenë zonë ushtarake e kufitare, Kosharja nuk është përmendur shumë në aspektin turistik e atë të atraksionit. Por, tashmë kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, Kosharja është rikthyer në një destinacion të kërkuar nga adhuruesit e natyrës, bjeshkës e hikingut.
Nga qyteti i Gjakovës, në një rrugë të re e krejtësisht të asfaltuar, Kosharja ka një largësi rreth 18 kilometra. Me të mbërritur, hasë në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve, në të cilën prehen 114 trupat e heronjëve dhe dëshmorëve të kësaj beteje. Nga këtu, fillon edhe zona e bjeshkës së Koshares, një zonë e pasur me gjelbrim, ujra, stane të shumta plot mundësi shëtitjeje e argëtimi.
Vetëm pak minuta ecje në këmbë, jo shumë largë Kompleksi Memorial të Dëshmorëve, është objekti i “Karaullës” famëkeqe qe dikur shpërbente si kazermë ushtarake për ushtrinë jugosllave që ruante kufirin. Gjatë betejës së Kosharës, kjo bazë u morr nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por i rikthye përsëri nga Ushtria Jugosllave e për tu bombarduar më tej nga aeroplanët e NATO-s. Sot ky objekt është pothuajse një gërmadhë, por fakti që ndodhet në një luginë magjepëse e rrethuar me pisha të shumta, me një investim të duhur nga ana e shtetit të Kosovës, ky vend mund të kthehet në një qendër të mrekullueshme të rekreacionit dhe aktivitetit malor.
Nga kompleksi Memorial i Dëshmorëve, haper një prespektivë e mirë për shëtitje malore apo ecje të gjata, varësisht prej kërkesave dhe dëshirave të turistëve.
Në një largësi prej 10 kilometrash e lartësi mbi detare rreth 1400 metrash, ndodhet “Rrasa e Koshares”, aty ku dikur ishte edhe fortifikata e Jerines. Rruga deri aty nuk është shumë e mundimshme ndërsa shtegu është tërësisht i shënuar nga shoqatat lokale të bjeshkatarisë. Në këtë vend, ende mund të gjenden gjurmë të luftës së vitit 1999 dhe kjo të jep një paqyrë të qartë për ngjarjet e zhvilluara aty. Afër Rrasës së Kosharës mund të vizitohet edhe vendi ku ka rënë heroi i kombit Agim Ramadani, ndërsa gjatë rrugës ka edhe plot pllaka përkujtimore të vendrënieve të shumë dëshmorëve e heronjëve të betejes së Koshares.
Nga Rrasa e Koshares, mund të vazhdohet edhe më lartë, deri tek Rraza e Zogut, në një lartësi rreth 2000 metra, ndërsa gjatë rrugës ofrohen shumë stane me burime ujore, të cilat mund të përdoren për pushim të ecjes apo edhe për fjetje e kamping. Njëra ndër këto pjesë edhe edhe vendi i njuhur me emrin Qershiza, nga ku shfaqet një pamje e mrekullueshme e Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në njëren anë dhe majës së Rrasës së Zogut, Gjeravicës apo majeve tjera të bjeshkëve të Nemuna.
Duke qenë një pikë e vendosur në mesin e shumë bjeshkëve dhe vendeve të bukura, Kosharja të ofron edhe mundësi për të vizituar edhe vende tjera. Disa nga vendet që mund të vizitohen janë edhe burimi i Erenikut, atraksioni natyror “Gurt n’gul”, “Kroi i Gërlat”, e shumë vende tjera përfshirë edhe bjeshkët e bukura të Junikut. Të gjitha këto vende, pos që karakterizohen me pamje të bukura nga lartësitë, ambiente të mbuluara me gjelbërim, gjithashtu janë edhe të pasura me shumë burime ujore, të cilat sjellin freski dhe disponim të mirë tek turistët.
Kosharja kufizohet edhe me shtetin e Shqipërisë, konkretisht me shumë fshatra e vende të bukura shqiptare. Fshati i parë pas kufirit është fshati Padesh, një fshat i vogël por me një bukuri mahnitëse dhe banorë tejet mikpritës. Duke vazhduar skaj këtij fshati, mund të vizitohet edhe maja e Ujezës, ku mund të gjenden shumë stane të banorëve vendas, e ku do të gjendesh përpara një pamje përrallore përball majes së Shkelzenit. Shtigjet bjeshkatare në këtë zone të Shqipërisë janë të pafundme dhe adhuruesit e ecjeve të gjata mund të kenë eksperienca të paharruara të kësaj natyre.
Discussion about this post