Hamami i Prizrenit, vendi i qejfit i kthyer në trashëgimi

Në identitetin e Prizrenit, prej një qyteti të kulturës pashmangshëm bënë pjesë edhe Hamami i Gazi Mehmed Pashës. Hamami, është një pikë referimi për të gjithë turistët që kanë destinacion pjesën antike të qytetit të Prizrenit, meqë ai është i vendosur në mes të saj, pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës.

Hamami,është një banjë turke apo një lloj i banjës me avull që lidhet ngushtë me kulturën islamike dhe llojet e tilla gjenden historikisht në gjithë Lindjen e Mesme, për t’u përhapur më pas me shpejtësi edhe në vendet e tjera. Hamami i Prizrenit ka të gjitha pjesët e nevojshme që kanë hamamet e llojit të tillë dhe është i llojit “çifte hamam”, sepse është përdorur nga të dyja gjinitë në të njëjtën kohë. Pjesa për burra është më e madhe sesa ajo për gra. Në të gjendet pjesa hyrëse që shërben për pritje dhe gjithashtu për pije, pastaj pjesa e garderobës dhe pjesa qendore ku  bëhet larja, djerësitja apo edhe argëtimi.

Për mosfunksionimin e tij ka pasë edhe kritika, meqë ky objekt nuk e ka ruajtur destinimin që kishte dhe as nuk i është dhënë ndonjë funksion i ri. Prandaj, mbajtja në çelës e tij e mban të fshehur edhe një pasuri të Kosovës. Megjithatë, sa për t’ua sjellë ndërmend turistëve se ekziton një hamam në Prizren, më herët janë mbajtur edhe disa ngjarje arti, sidomos në kohën e DokuFestit dhe iniciativat e tilla rezultuan të suksesshme meqë një numër turistësh nga vende të ndryshme të botës panë këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

 

Ndërtimi i tij

Hamami i Prizrenit ose Hamami i Shemsedin Beut , është ndërtuar në fund të shekullit XV (1498), prandaj edhe është në Listën e Monumenteve të Kosovës.

Ai është i ndërtuar me gurë të ndryshëm dhe muret kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga ana e brendshme. Pullazi i objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Pjesa e garderobës dhe kaldatores është e mbuluar me qemerë. Mbulesa është me tjegulla në pjesën e ftohtë, ndërsa me pllaka të plumbit në pjesët tjera.

Hamami i Prizrenit ndër vite është restauruar dhe ka pësuar ndryshime nga forma bazë. Këto ndryshime shpeshherë u ndeshën më kritika nga profesionistët e fushës dhe qytetarët.

 

Discussion about this post

Related Posts