Drejt veriut, mes natyrës, historisë, traditës e kulturës

Duke vazhduar rrugën automobilistike drejt Peshkopisë, buzë rrugës nga Bulqiza për në Zerqan, gjendet shpella e fshatit të Valikardhës. Në këtë fshat mund të vizitoni dy shtëpi të shpallura monumente kulture. E konsideruar si ndër më të mëdhatë në Ballkan, rrugës nga Bulqiza për në Maqellarë, 11 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, jo larg nga Maqellara gjendet Kalaja e Grezhdanit. Kjo kala zë një sipërfaqe prej 34 ha dhe i takon periudhës së vonë romake të shek. IV.

 

Gjatë Mesjetës, ajo supozohet të ketë qenë kalaja e Stefigradit, e cila ka qenë nën kontrollin e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeu. Që prej vitit 1963, është shpallur monument kulture.

 

Në të majtë të kësaj rruge (Bulqizë–Maqellarë), gjendet fshati Bllacë, ku mund të vizitoni Teqenë e Bllacës, e cila daton që prej vitit 1800. Sot teqeja përbëhet nga dy ndërtesa dykatëshe me harqe. Qyteti i Peshkopisë ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë.

 

Emërtimi Peshkopi rrjedh nga greqishtja e vjetër “episcopi”, që do të thotë “rezidencë e peshkopit”. Për herë të parë është përmendur në një dokument të shekullit XV. Qyteti është i njohur për llixhat (ujërat termale), të cilat burojnë nga depozitat e gipsit dhe janë dy burime sulfatike me përmbajtje të lartë potasiumi. Këto ujëra kanë aftësi kuruese për sëmundjet e diabetit, rrugëve të frymëmarrjes, lëkurës etj.

 

Në qytetin e Peshkopisë mund të vizitoni edhe Muzeun Etnografik të Dibrës. Muzeu ka formën e një shtëpie karakteristike, ku gjendet një fond prej 2.000 objektesh, ndër të cilat: kostume lokale, qilima, enë gatimi, bizhuteri, armë të periudhës ilire, monedha, etj.

 

Prej qytetit të Peshkopisë, të pasionuarit pas alpinizmit mund të ndërmarrin një udhëtim drejt Radomirës për t’u ngjitur në malin e Korabit, i cili përbën edhe malin më të lartë në Shqipëri, 2.751 metra mbi nivelin e detit. Kjo pikë ndodhet në veri të Peshkopisë dhe për të mbërritur atje duhet ndjekur itinerari Peshkopi – Kastriot –Sllovë.

 

Discussion about this post

Related Posts