Vetëm 20 km larg nga qyteti i Ferizajt, i vendosur në zemër të bjeshkëve me një lartësi 1200m mbi nivelin e detit ndodhet fshati Jezerc. Sapo të merrni rrugën për në këtë fshat, ju do të mund të shijoni mrekullitë natyrore. Me të arritur në hyrje të fshatit, do të keni kënaqësinë të shihni pra së cilës askush nuk mbetet indiferentë.
Ujëvara është vetëm një nga bukuritë që ka ky fshat. Pak metra larg saj, ju do të shihni një mulli që është shumë i vjetër duke i rezistuar çdo periudhe historike. Mullirin në fjalë e quajnë “Mulliri i Selman Begut” dhe ka traditë 200 vjeçare, duke u bërë destinacion interesant për turistët.
Gjatë rrugëtimit që do të bëni për të arritur deri tek bjeshkët e Jezercit, ju do të mund të shihni kopetë e banorëve që jetojnë ende aty dhe që kanë një mikpritje tejet mbresëlënëse. Pemët e larta, që janë rritur nëpër tokën gurore, ju jep një imazh që nuk do ta harronit lehtë. Më pas, ju do të keni mundësi të vizitoni edhe Kalanë e Jezercit, që thuhet se është ndërtuar nga Mbretëresha Ilire me emrin Jezerina, ndaj dhe fshati ka marr emrin nga Mbretëresha Jezerina-Jezerc.
Më pas, sapo të ngjiteni në fshat, ju do të shihni shtëpi të vjetra, që i kanë mbijetuar kohërave të ndryshme. Vendi ideal për të kaluar një fundjavë, apo edhe një ditë pushimi, është Jezerci. Nëseni e keni ndarë mendjen dhe vendosni të shkoni aty, atëherë do të mund të akomodoheni në vila që janë ndërtuar vetëm për turistë.
Jezerci, njihet edhe për burimet e shumëta të ujit, që ndryshe i quajnë cezma, e uji rrjedh nga zemra e bjeshkëve të larta dhe do të keni kënaqësinë të shihni edhe lumin që gjarpëron mes Bjeshkëve të Jezercit, vërtetë është mahnitëse një pamje e tillë, ku pranë Bjeshkës dhe afër lumit, mund të shijoni një kafe në një ndër lokalet që gjenden atje. Në këtë fshat, ju do të mund të ecni për të arritur në majën e Jezercit, ku nga aty mund të shihni në “pëllëmbë të dorës” të gjithë qytetin e Ferizajt dhe fshatrat përreth.
Ka hapësira, ku ju mund të ngrini tendat tuaja për të kaluar ditët në një kamping të improvizuar. Gjithashtu ju mund të gjeni restorante në të cilët mund të drekoni me shoqëruesit e tuaj dhe ju garantojmë që do të kaloni shumë mirë dhe do t´ju mbetet ndër kujtimet më të bukura.
Për të gjithë atë që e duan ecjen në natyrë, Bjeshka e Jezercit, është vendi ideal me një lartësi rreth 1500m. Nëse dëshironi të kaloni momente të paharrueshme, ejani në fshatin Jezerc, nuk do të zhgenjeheni.
Discussion about this post