Prishtina, kryeqyteti i kënaqësisë

Kur flasim për Prishtinën, kemi ndërmend gjithnjë mikpritjen dhe bujarinë.

Si kryeqytet, ngërthen më së miri bukurinë e të gjithë Kosovës, duke e pasqyruar atë tek njerëzit që vijnë nga çdo pjesë e vendit për të jetuar këtu.

Për vizitorët, ky vend është doemos i paharrueshëm dhe mbetet përherë në listën e kujtimeve të bukura.

Një ecje në qytetin e bukur të Prishtinës është njëkohësisht një ecje nëpër kohë.

Në njërën anë, kemi një trashëgimi të pasur kulturore e historike kurse në anën tjetër, kemi Prishtinën moderne, me një jetë nate të zjarrtë e aktivitete të shumta, që nuk ju lënë assesi vend për zhgënjim.

Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe qyteti më i madh në vend.

Gjendet në pjesën veripërëndimore dhe shtrihet buzë rrafshnaltës së plleshme rrëzë maleve të argjendta. Ka pozitë shumë të përshtatshme gjeografike, pasi që gjendet në kryqëzimet parësore kontinentale.Komuna e Prishtinës ka gjithsej 48 fshatra që e rrethojnë.

Me një sipërfaqe prej 572 km² e në afërsi me malet e Gollakut, ky qytet ka mjaft për të ofruar gjeografikisht.

Në të tjera aspekte, Prishtina ofron gjithmonë e nuk “fle” asnjëherë.

 

Historik

Zona që tani është Prishtinë ka qenë e banuar për gati 10,000 vjet. Zbulimet e hershme të neolitit u zbuluan që në shekullin e 8-të para Krishtit, në zonat përreth Prishtinës, që përfshin Matiçanin, Graçanicën dhe Ulpianën. Në shekullin e 4-të para Krishtit, Mbreti Bardhyl bëri fise të ndryshme Ilire së bashku, duke krijuar Mbretërinë Dardane.

Shkrimi i parë për Prishtinën është ai i vitit 1342, nga Perandori i Bizantit, Johan Kantakuzen, i cili Prishtinën e përshkruan si një fshat. Pas këtij viti, ka të ngjarë se ekzistonte kisha katolike e Shën Mërisë dhe si priftërinj përmenden edhe emra, si ai i shqiptarit Don Lasio.

Ekzistojnë disa hipoteza të bazuara në etimologji për emrin e Prishtinës, por që nuk hedhin dritë përfundimtare mbi këtë çështje. Supozimet mbështeten në burimin ilir të fjalës, apo në atë latin (pristinus – e dikurshme).

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, Prishtina ka shumë për të treguar. Themelet e ngurta që ka lënë pas historia, janë shembulli më i mirë e dëshmia më e madhe që ky qytet mban mbi supe një të kaluar të lavdishme.

Disa nga objektet me vlerë historike në këtë komunë janë “Sahatkulla”, “Xhamia e Madhe (Xhamia e Sulltan Mehmetit II al-Fatih-u)”, “Xhamia e Qarshisë”, “Hamami i madh”, “Xhamia e Llapit”, Muzeu i Kosovës e.t.j.

 

Disa nga monumentet historike

-Sahatkulla

Çdo qytet në Perandorinë Osmane kishte nevojë për një Sahat Kullë në mënyrë që besimtarët të dinin kohën për të shkuar në xhami si dhe të gjitha dyqanet të hapeshin dhe mbylleshin në kohë të njejtë [8]. Kjo Sahat kullë u ndërtua në shekullin e XIX. Zijla origjinale u soll nga Moldavia dhe mbante mbishkrimin: “Kjo zile është punuar më 1764 për Jon Moldova Rumenin”.

-Xhamia e Madhe

Kjo xhami u ndërtua në vitet 1460–1461 nga Sulltan Mehmeti II al-Fatih-u (ashtu siç dëshmohet nga gdhendja e murit mbi derën kryesore të xhamisë), vetëm tetë vite pas rënies së Konstadinopojës. Ajo gjendet në zemër të qendrës së qytetit të vjetër, dhe është xhamia më e madhe dhe më spikatur e Prishtinës. Kupola e saj ka qenë dikur më e madhja në regjion, ndërsa sot ajo është e vetmja xhami e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II që ende mbijeton në këto vise. Sheshi përpara Xhamisë së Mbretit gjithmonë ka qenë vend i njohur për takime. Gjatë viteve 1682–83, nën sundimin e Sulltan Mehmetit IV, xhamia është restauruar, ndërsa minarja e saj është riparuar përsëri pas tërmetit të vitit 1955.

-Xhamia e Qarshisë

Xhamia e Çarshisë është ndërtim i Prishtinës së vjetër, e ndërtuar në shekullin e 15 nga Sulltan Bajaziti. Në të kaluarën Xhamia e Çarshisë gjendej përballë çarshisë së mbuluar të Prishtinës. Sot nuk ka mbetur asgjë nga çarshia e vjetër, vetëm emri i Xhamisë së Çarshisë shërben për të na e përkujtuar atë. Shumë ndryshime si dhe punime për riparimin e saj e kanë ndryshuar pamjen origjinale të kësaj xhamie, mirëpo simboli i saj kulmi i gurët minares ka mbijetuar për më shumë se 600 vite. Këtë xhami e quajnë edhe “Tash Xhamia”, që në përkthim do të thotë “Xhamia e gurit”.

-Xhamia e Llapit

Xhamia e Llapit në Prishtinë u ndërtua në vitin 1470 gjatë pushtimit te Perandorisë Osmane dhe është një ndër ndërtimet më të lashta në Prishtinë. Ajo gjendet në afërsi të qendrës së Prishtinës në magjistralen Podujevë-Prishtinë. Ajo përbëhet nga një parasallë dhe dhomë të faljes e cila është gjashtë metra e lartë. Emri i saj i vërtetë është “Xhamia Ramadanije” por për shkak se faleshin shumë banorë të fshatrave të Llapit, ajo mori emrin “Xhamia e Llapit”.

 

Muzeu i Kosovës është ndërtuar nga austriakët për ushtrinë turke në vitin 1898, dhe është përdorur nga ushtria kombëtare jugosllave deri në vitin 1975. Muzeu ka pasur një koleksion të pasur të objekteve prehistorike të zbuluara në Kosovë. Pjesa më e madhe e artefakteve tregon per jetën në kohën e ilirëve dhe romakëve. Në 1998, më shumë se 1.247 artifakte u dërguan në Beograd për një ekspozitë. Muzeu ende është duke pritur kthimin e tyre. Prej vitit 1999 deri në vitin 2002, ishte zyra kryesore e Agjensionit Evropian për Rindërtim.

 

Prishtina, si kryeqendra e Republikës së Kosovës, ka pasur një zhvillim të hovshëm përgjatë viteve. Ka shumë objekte e monumente që janë ndërtuar përgjatë shekullit që kemi lënë pas e këtij që po e jetojmë, të cilat mbartin një rëndësi dhe simbolikë për qytetin nëveçanti e vendin në përgjithësi.

Ndër to, përmendim Bibliotekeën Kombëtare Universitare, Galerinë e Arteve, Monumentin e “NEWBORN”-it, Monumentin e heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Monumetin e heroit të kombit “Zahir Pajaziti”, Katedralen e “Nënë Terezës”  e.t.j.

-Biblioteka Kombëtare Universitare

Objekti i kësaj Biblioteke ka një histori në të cilën paraqiten rrethanat politike e shoqërore kosovare të viteve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Është e ndërtuar në vitin 1982 me një dizajn unik nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjaković. Në këtë objekt ruhen libra të ndryshëm të cilët qytetarët kanë mundësi që t’i lexojnë brenda objektit.

-Galeria e Arteve

Galeria e Arteve e Kosovës u formua në vitin 1979 si institucion kulturor për prezentimin e artit pamor dhe ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë. Për këto 30 vjet të veprimtarisë, ky institucion ka organizuar afro 500 ekspozita, brenda vendit dhe në botën e jashtme, të cilat janë përcjellë me shumë botime dhe me blerjen e afro 1000 punimeve artistike nga të cilat është formuar një fond i pasur i Galerisë.

 

“NEWBORN” është skulpturë, monument i Pavarësisë së Kosovës, i cili u krijua nga ekipi i udhëhequr nga Fisnik Ismaili dhe u shpalos në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Monumenti u krijua pikërisht për përkujtimin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët, pas shumë vuajtjeve e sakrificave. “NEWBORN” simolizon lindjen e një shteti të ri, shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008.

-Monumenti i heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Në vitin 2001, në qendër të qytetit është vendosur monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilin turistët dhe vendasit mund ta vizitojnë për t’u kthyer në kujtesën e historisë, kur Gjergj Kastrioti luftonte trimërisht kundër armiqve.

 

-Monumenti i heroit kombëtar “Zahir Pajaziti”

Shtatorja e parë e vendosur në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës është ajo e “Zahir Pajazitit”, e vendosur nga bashkëluftëtarët e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushri e cila luftoi kundër forcave okupatore serbe në vitin 1999. Shtatorja Komandantit Zahir Pajaziti vizitohet shumë shpesh nga ish ushtarët e UÇK-së, nga Institucionet e Kosovës, Shqipërisë, nga nxënës të të gjitha shkollave në Kosovë e në treva shqiptare.Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

 

-Katedralja e “Nënë Terezës”

Ideja e ndërtimit të një katedraleje të tillë ishte propozuar nga ish – Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili, për sa i përkiste besimit fetar, ishte musliman. Katedralja është inaguruar më 26 gusht të vitit 2010, në njëqind vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Ky vend, përveç se hijeshon qytetin, shërben edhe si vendtakim për besimtarët që praktikojnë ritet fetare. Nga kulla e këmbanës së katedrales, shumë turistë mund të shijojnë pamjet mbreslënëse të qytetit të Prishtinës.

 

 

Pas një dite të ngarkuar, duke vizituar monumentet historike e duke mësuar mbi të kaluarën, vjen koha për pak pushim e relaks. Për këtë, shërben më së miri një shëtitjë në Parkun Nacional “Gërmia”. Ky park, gjendet jo larg prej qendrës së qytetit dhe është vendtakimi i shumë qytetarëve sportdashës si dhe i atyrë që dalin të përjetojnë bukuritë e natyrës.

Përgjatë vizitës në këtë vend, do t’ju bëjë përshtypje natyra e bukur, e pasur me florë e faunë.

Restorantet e baret që gjenden brenda këtij parku, janë vendi ideal për të shijuar një drekë a darkë me ushqime tradicionale, ndërkohë që ajri i pastër e peizazhi ju japin energji e frymëzim.

 

Jeta e natës në Prishtinëështë ndër më të veçantat në të gjithë rajonin.

Qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës, mblidhen shpesh mbrëmjeve në lokalet e ndryshme të qytetit.

Ngrohtësia e mikritjes dhe respekti ndihen gjithmonë në nëtet e bukura që ky qytet ofron.

Lokalet në Prishtinë, mbajnë një standart shumë të lartë të shërbimit, duke iu mundësuar vizitorëve e klientëvë gjithçka që ju duhet.

Prishtina nuk ndalet dhe nuk është asnjëherë njësoj. Çdo ditë, mund të zgjedhësh diçka ndryshe për të bërë, nga shumëllojshmëria e shërbimeve dhe vendeve që ky qytet ofron.

Përpos të tjerash e mbi të gjitha, Prishtina është ndjenjë. Një ndjënjë e paharrueshme…

 

 

 

 

Discussion about this post

Related Posts