E mbuluar me petkun e gjelbër, rrezet e diellit nuk mund të depërtojnë aq lehtë, sepse lisat e mëdhenj me shumë gjethe i bëhen mburojë natyrës së bukur.
Ky është Parku Kombëtar i Gërmisë, i cili gjendet në Prishtinë, në një sipërfaqe prej 1126 ha. Ky park është një zonë e mbrojtur e natyrës, i shpallur në vitin 1987.
75 % e sipërfaqes në Parkun e Gërmisë është e mbuluar me pyje të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.
Çdo vizitor që vjen në Prishtinë, nuk e lë pa e vizituar Parkun e Gërmisë, ku në hyrje të parkut, gjendet Pishina, si zonë rekreacioni.
Në këtë park mund të gjeni fusha të improvizuara të tenisit, basketbollit e fusha të vogla për futboll. Kjo nuk përfundon me kaq, pasi përveç natyrës piktoreske, ajrit të pastër, Gërmia ka dhe shtegun e saj të vrapimit.
Këto vlera atraktive natyrore dhe ajri i pastër i Gërmisë, tërheqin vëmendjen që një numri të madh qytetarësh nga Prishtina dhe rrethina të saj, të cilët kalojnë një pjesë të ditës ose gjithë fundjavën.
Nuk përfundon me kaq, pasi Parku i Germisë është edhe vendi i preferuar i fëmijëve, ku pjesë të veçanta janë krijuar për ta, duke vendosur lodra të ndryshme që ata të kalojnë kohë duke luajtuar.
Çfarë e bën edhe më të veçantë këtë zonë, është relievi i Gërmisë i cili përbëhet prej kodrave me lartësi dhe pjerrësi të ndryshme të ndara mes tyre me hapësira të luginave të përronjve dhe lumenjve.
Këtu veçohet lugina e lumit Vellusha, e cila buron në pjesën perëndimore të kodrës së Butosit, e cila edhe përfaqëson relievin më karakteristik me lartësi mbidetare 1000 m dhe gjatësi prej afro 8 km.
Në Gërmi ekzistojnë gjithashtu edhe mjaft burime, të cilat gjatë periudhës së verorës thahen pjesërisht. Sot uji i këtyre burimeve është i lidhur me një rrjetë që derdhet në pishinën e Gërmisë.
Ndërkaq, në sajë të pozitës gjeografike, veçorive gjeologjike, pedologjike dhe kushteve klimatike masivi malor i Gërmisë është mjaft i pasur si në pikëpamje floristike, vegjetative dhe faunistike.
Për shkak të bukurive të veçanta natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore të cilat janë me rëndësi kulturore- arsimore, shkencore dhe turistike recreative, kësaj zone i është kushtuar edhe një përkujdesje ligjore prej vitesh.
Në vitin 1966 vendoset që një pjesë e masivit malor të Gërmisë të shpallet si “Pyje për piknik”.
Në vitin 1987 Kuvendi Komunal i Prishtinës merr vendim për vënien nën mbrojtje të Kompleksit “Gërmia” në kategorinë e Parkut Rajonal të natyrës.
Sipas IUCN (Unionit botëror për Ruajtjen dhe Konservimin e Natyrës) Parku i Gërmisë është evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura (IUCN, 1990 United Nation List of National Parks and Protected Areas).
Discussion about this post