Secili vendbanim, fshat apo qytet, dallohet për karakteristikat e veta, e të cilat e bëjnë atë të veçantë e interesant për tu vizituar nga secili turist. I tillë është edhe qyteti i Gjakovës, njëri prej qyteteve më karakteristike shqiptare, një qytet që patjetër duhet që së paku një herë të jetë në agjendën e pasionantëve të shëtitjes e turizmit, historisë e traditës, qejfit e ushqimit.
Qyteti i Gjakovës, ndodhet në pjesën perëndimore të Kosovës, në një pozite tejet të volitshme, që e bën këtë qytet mjaft atraktiv në shumë aspekte. Shtrihet rrëzë kodrës së Çabratit në njërën ane dhe përgjatë bregut të majtë të lumit Ereniku, ndërsa qytetin përmes tij e përshkon lumi Krena. Vetëm pak kilometra larg qytetit, Ereniku derdhet në lumin Drini. Të tre këta lumenjtë, bashkë edhe me Çabratin e krijojnë mozaikun e atraksionit, sidomos pranveror e veror, të qytetit të Gjakovës.
Historiku
Zona e Gjakovës ka qenë e banuar që nga koha antike. Asokohe njihej me emrin Gabuleo, një vendbanim – fortifikatë e periudhës ilire, e shtrirë jo shumë larg në lindje të qytetit të sotëm të Gjakovës, në kryqëzimin e dy rrugëve më të rëndësishme të kohës, “Via Lissus Naissus” (Rruga e luginës së Drinit, traseja Lezhë – Nish) dhe “Via de Zenta”, rruga që lidhte qytetet e sotme të Pejës dhe Prizrenit).
Gjakova e sotme është themeluar gjatë shekullit të 16-të. Emri Gjakovë për herë të parë është përmendur në vitin 1574. Origjina e emrit vjen nga një tregtar i pasur, i quajtur Jak Vula: Jakova – livadhet e Jakut.
Koha e përparimit e zhvillimit të Gjakovës, ndodhë në fund të shekulli të 16-të dhe fillimin e shekullit të 17-të, kur ky fshat u zhvillua në një qytet.
Pjesa e parë e qytetit ishte ndërtuar ndërmjet lumit Krena dhe kodrën të Çabratit. Lagja më e vjetër “Mahalla e Hadumit” është vendosur përreth Xhamisë së Hadumi, e ndërtuar në vitin 1592/93. Më vonë qyteti është shtrirë në pjesën lindore. Në vitin 1662, kur përfaqësuesi tregtar Otoman ishte duke kaluar nëpër Gjakovë, ka regjistruar një qytet prej 2,000 banorësh.
Ndërtimi i urave të ndryshme ka mundësuar karvanët të kohës për ti kaluar lumenjtë që e përshkojnë këtë qytet. Ne vitin 1838 qyteti arrin të ketë me shumë se 20,000 banorë.
Qendra me e madhe e pazarit- zona e tregtisë, e shijon lulëzimin e zhvillimit ekonomik bazuar në tregtinë e lëkurës, zhvillimin e bujqësisë, dhe nga viti 1900, kjo qendër tregtare – Çarshia, kishte më shumë se 1,000 ndërmarrje.
Pas Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe Gjakova bëhen pjesë të shtetit të ri Jugosllav. Qyteti është shtrirë në drejtim të pjesës verilindore. Pas luftës së Dytë Botërore, një qendër e re e qytetit është ndërtuar në bregun lindor të lumit Krena. Janë ndërtuar shkolla, parqe dhe një spital.
Qyteti gjithashtu zhvillohej në një qendër industriale. Degët më të rëndësishme ishin: industria e përpunimit të metalit, tekstilit, materialit ndërtimorë, përpunimit të drurit si dhe industria e përpunimit të produkteve bujqësore. Si pasojë e presionit dhe masave të dhunshme gjatë viteve të 90-ta, industria pothuaj se paralizohet plotësisht.
Gjatë luftës në vitin 1999, Gjakova ishte një nga qytetet më të dëmtuar te Kosovës. Shumë ndërtesa në qendrën historike, duke e përfshirë edhe pazarin, ishin djegur në tërësi. Në Komunën e Gjakovës me 70 fshatra të djegura u dogjën 6200 shtëpi banimi dhe objekte të tjera përcjellëse, 47 objekte kulturore historike e fetare, 18 objekte shëndetësore, 23 shkolla dhe 80 për qind e infrastrukturës. Gjatë luftës ranë 180 dëshmorë, 609 të zhdukur, 645 viktima civile dhe 324 të burgosur. Shumica e ndërtesave të shkatërruara janë ndërtuar dhe riparuar.
Monumentet kulturore e historike
Çarshia e Madhe
U ndërtua atëherë kur Gjakova kur Gjakova fitoj statusin e qytetit 1994-1995. Paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj. Sipërfaqja e gjithmbarshme e saj është 34.000 m2 në një gjatësi mbi 1 kilometër, duke e bërë kështu njërën prej Çarshive më të gjata në rajon. Çarshia ishte vatër e zhvillimit ekonomiko – shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës.
Çarshia e madhe kishte një numër të dyqaneve në të cilat u zhvilluan pothuajse të gjitha zejet e mundshme, si metalpunuesit dhe drupunuesit, lëkurëpunuesit përpunuesit e tekstilit, kazangjinjtë, samargjinjtë, qeleshegjinjtë, çarkagjinjtë e të tjera. Në pikëpamje urbanistike, Çarshia paraqet një shembull të gjallë të planit urbanistik oriental me elemente të pasura arkitektonike.
Ura e Terzive, e Tabakëve dhe e Taliqit
Me zhvillimin ekonomik përgjatë viteve 1700, u paraqit nevoja edhe për investime në infrastrukturë. Në këtë drejtim, me vet iniciativë të esnafëve dhe artizanëve gjithmonë në rritje, u investua në ndërtimin e tri urave, të cilat lidhin rrugët kryesore të tregtisë gjatë asaj kohe. Ura e Terzive (1730), Ura e Tabakëve (1790) dhe Ura e Taliqit (1816). Të tri këto ura tashmë janë të restauruara dhe janë pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura në komunën e Gjakovës dhe elemente të rëndësishme për tu vizituar.
Muzetë
I vendosur në një kompleks të ndërtuar në vitin 1810, Muzeu Etnografik i Gjakovës, paraqet pasqyrën më të mirë të historisë, kulturës dhe traditës së këtij qyteti. Për vizitorët në këtë muze janë të pasqyruara disa prej artefakteve më interesante duke filluar nga veshjet tradicionale, mjetet e vjetra të punës si dhe pajisje tjera të përdorura përgjatë viteve nga banorët e qytetit dhe fshatrave të Gjakovës.
Jo më pak i rëndësishëm është edhe Muzeu Historik, i cili është i vendosur në objektin e quajtur “Kulla e Abdullah Pashë Drenit”, një objekt i ndërtuar në vitin 1790 e i cili ka shërbyer si shtëpi banimi dhe fortifikatë.
Muzeu i Muzikës, është një tjetër objekt, i cili më së miri pasqyron traditën e vjetër të qytetit të Gjakovës në kultivimin e muzikës qytetare por edhe asaj moderne në kohën e reja. Ky muze është vendosur në objektin e Tabhanes, i cili është rindërtuar tash së voni dhe është në proces të funksionalizimit të plotë.
Kulla e Sahatit është objekt tjetër i rëndësishëm në aspektin kulturor e historik. Është ndërtuar XIX dhe gjendet në bërthamën e Çarshisë së vjetër, në vendin e quajtur “Fusha e Sahatit”. Kulla e Sahatit është djegur në vitin 1912 nga ushtria malazeze me ç ‘rast edhe mekanizmi i orës së hequr është hequr dhe është bartur në Malin e Zi. Sot ekziston objekti i ri i Kullës së Sahatit, i rindërtuar pas luftës së fundit në Kosovë në një lartësi prej 30 metrash.
Gjakova njihet edhe për numrin e madh të kullave dhe të shtëpive të mëvonshme tradicionale të shtrira në bërthamën e vjetër të qytetit, por edhe nëpër disa prej fshatrave. Vlen të përmendet Kulla e Sulejman Vokshit që bashkë me Kullën e Abullah Pashë Drenit dhe Varrin e Maxharr Pashës, formojnë kompleksin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Gjakovë. Pastaj janë kulla e Koshit, kulla e Dulajve, kulla e Sadik Nivokazit në fshatin Nivokaz, shtëpia tradicionale e familjes Zherka e të tjera.
Shumica prej këtyre objekteve, bashkë edhe me Hanin e Haraqisë, si njëri prej objekteve të ndërtuara paralelisht me Xhaminë e Hadumit, tashmë janë kthyer në bujtina e lokale hoteliere, duke u shndërruar kështu në pika referuese për turistët e interesuar ta vizitojnë Gjakovën.
Respekti ndër fetar
Njëra ndër veçoritë që e karakterizojnë Gjakovën është bashkëjetesa dhe respekti ndërfetar në këtë qytet. Në Gjakovë, mund të gjesh shumë objekte fetare, si Xhamia, Teqe, Kisha e të cilat historikisht kanë funksionuar në harmoni të plotë dhe janë vizituar nga besimtarët e të gjitha feve.
Xhamia e Hadumit e ndërtuar në vitin 1592/93 është objekti më i vjetër i karakterit fetar në Gjakovë, Por, përgjatë viteve, ky objekt është shndërruar në qendër kulturore, arsimore, fetare dhe simbol i qytetit të Gjakovës. Ndonëse është djegur e shkatërruar gjatë vitit 199, Xhamia e Hadumit ka arritur të ruaj disa nga elementet e saj origjinale, gjë që ka bërë që ky të jetë njëri prej objekteve më të vizituara kohëve të fundit.
Teqja e Madhe është një tjetër objekt i rëndësishëm për Gjakovën, që është ndërtuar në shekullin XVII dhe llogaritet si teqja më e vjetër në tërë Ballkanin. Pasi Gjakova karakterizohet me numër të madh të besimtarëve të tarikateve, në këtë qytet mund të gjenden edhe shumë teqe e tyrbe të vjetra, si Teqja e sheh Banit, teqja e sheh Eminit, teqja e Bektashinjve, teqja e sheh Lites e të tjera, të cilat pos që vazhdojnë të jenë aktive në pratikimin e riteve të tyre fetare, tashmë janë edhe pika tejet interesante për tu vizituar, sidomos nga turistët e huaj.
E banuar me një numër të madh të qytetarëve të besimit katolik, Gjakova mban brenda vetës edhe mjaft kisha, të cilat janë tejet të rëndësishme për kah vjetërsia dhe stili i ndërtimit, por mbi të gjitha edhe për nga kontributi historik në aspektin fetar, kulturor e arsimor, sidomos gjatë viteve të okupimit.
Ndër kishat më të rëndësishme janë kisha e Shën Ndout dhe kisha e Shën Palit e Shën Pjetrit, të cilat ndodhen afër njëra tjetrës në lagjen Mulla Jusuf në Gjakovë.
Potenciali turistik
Pozita gjeografike e qytetit të Gjakovës, ofron një mundësi të madhe për vizitën e shumë vendeve natyrore, historike e kulturore. E ndodhur në kufi më shtetin e Shqipërisë, dhe me qasje në dy pika kufitare, Qafën e Morinës dhe Qafën e Prushit, gjatë qëndrimit në Gjakovë mundësohet edhe vizita e zonën turistike të veriut të Shqipërisë, përfshirë këtu Luginën e Valbonës, Liqenin e Komanit dhe Lumin e Shalës, Liqenin e Ponarit afër Bajram Currit e shumë destinacione tjera turistike, qoftë përmes ecjes – hikungut qoftë përmes rrugëve automobilistike.
Brenda territorit të Kosovës, Gjakova rrethohet edhe me një pjesë të bjeshkëve të Nëmura dhe bjeshkëve të Pashtrikut, të cilat ofrojnë mundësi të mirë për zhvillimin e ecjes malore – hikingut.
Po ashtu edhe në afërsi të qytetit, ekzistojnë disa lokacione turistike, tejet atraktive për tu vizituar. Përpos lumenjve, Drini e Ereniku, dhe lumit Krena me shëtitoren e ndërtuar së fundmi, në Gjakovë si pika me vlerë turistike janë edhe liqeni i Radoniqit, Ujëvara e Mirushës, ura e Fshenjtë, shpella e Kusarëve, shpella e Qirave, maja e Kunorës, parku i Shkugëzës e të tjera.
Ushqimi
Njëra prej karakteristikave të jashtëzakonshme të Gjakovës është edhe kulinaria, e cila është mjaft e pasur dhe e veçantë. Janë disa ushqime tradicionale që e bëjnë Gjakovën, të lakmueshme dhe të kërkuar në këtë aspekt. “Samuni me sugjuk” është njëri prej ushqimeve tradicionale të mëngjesit për gjakovarët, ushqim i cili asesi nuk bën të mbetet pa provuar. Gjithashtu Gjakova është e njohur edhe për qoftet apo qebapët tradicional, tavën e dheut, apo siç njihet me emrin lokal “tava e kasapit” gjizën me speca, Leqenikun e të tjera.
Gjakova njihet edhe si qyteti ku prodhohet rakia artizanale, kryesisht nga rrushi
Të gjitha këto por edhe plot ushqime tjera tradicionale ofrohen gati në të gjitha lokalet dhe restorantet e Gjakovës të cilat mund të gjenden me bollëk, sidomos përgjatë Çarshisë së madhe.
Gjakova qytet i sevdasë
“Kënga nuk këndohet askund si në Gjakovë”. Kjo thënie e dëgjuar shpesh herë nuk është e ditëve të sotme. Ajo ka zanafillë qysh moti, qindra vjet më parë. Dhe, si e tillë, bartë në vete një të vërtetë, një histori që si rrallë herë vazhdon të jetë e prekshme edhe në ditët e sotme.
Njëra ndër elementet më të rëndësishme e me të cilën mburren gjakovarët është muzika qytetare. Gjakovarët shquhet për njerëz të qejfit e sevdasë, të cilët në shumë raste mblidhen rreth sofrave dhe me meze, raki e këngë kalojnë orë të tëra së bashku.
Është diçka tejet normale që turistët të hasin grupe të tilla nëpër lokalet e shumta të Çarshisë e të cilët me dashamirësi të ftojnë për një gotë raki e për pak argëtim me këngët gjakovare.
Është i njohur Ahengu i vjetër gjakovar apo Rendi siç quhet në popull, që brez pas brezi ka bartur dhe trashëguar dashurinë e gjakovarëve për artin, muzikën, këngën e humorit, gjë e cila tashmë llogaritet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore në këtë qytet.
Discussion about this post