Kisha e Marmiroit

Kisha e Marmiroit është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Vlorës, në qarkun e Vlorës, Shqipëri. Kisha është e tipit kryq ilire me kupolë. Pjesë të tjera të saj janë edhe narteksi dhe tamburi cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Megjithatë ajo përbëhet nga 3 hyrje të cilat i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore ndodhet absida e kishës, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël. Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël.

Kjo tezë mbështetet në gjurmimet dhe studimet shumëvjeçare të Institutit te Monumenteve të kulturës në Tirane. Sipas studjuesit Piro Thomo karakteristike e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa nga mbikqyrja e vendit vihet re se muret e Narteksit dhe disa të tjera rreth Kishës janë në gjendje të rrënuar. Nga to ruhen deri më sot mbetjet e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur veçse konakëve të një manastiri.
Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik.
Midis gurëve janë vendosur me llaç edhe copëra tullash dhe tjegullash, duke e përzier teknikën e ndërtimit. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII. Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Nën drejtimin e Prof.Dr. Aleksander Meksit kisha u rindërtua përsëri në formën dhe trajtat fillestare të saj.

E gjithë treva Erikua ose siç është quajtur trekëndëshi Dukat, Tragjas, Radhimë është një prej rajoneve që mbart në vetvete shumë vlera të karakterit kulturor, historik, etnografik, ekologjik, etj.

Ndërkohë që në veri të kishës ndodhet Baza ushtarake detare e Pashalimanit, laguna me të njëjtin emër dhe rrënojat e Orikut. Oriku antik jetoi gjatë shekujve VI p.k. Ai ishte një qytet që lindi si rrjedhoje e proçesit kolonizimit Grek. Përmendet si teatër i luftimeve midis Romakevë gjatë luftërave civile, si qyteti i parë që u pushtua nga Çezari. Gjatë mesjetës ai do të quhet me emrin JERIKO dhe funksionoi si qytet i vogël, i paisur dhe me një port. Në shekullin e XV kur u pushtua nga turqit ai u quajt Pashaliman dhe u shndërrua në bazën kryesore të marinës turke në perëndim të Perandorisë. Ndërkohë që disa kilometra më sipër ndodhet Dukati i ri, i lindur si rezultat i zbritjeve të banorëve nga Dukati i vjetër. Ky i fundit ndodhet në fund të luginës aty ku bashkohen malet e Çikes dhe Lungarës. Pikërisht këtu buron një përrua i rrëmbyer, i cili quhet nga vendasit Lumi i Dukatit.

 

Pikërisht në këtë fshat kanë mbetur disa gjurmë krishtërimi, siç është një lagje e tij dhe disa toponime. Të tilla janë Qafa e Kishës, qafa e Shën Gjergjit, trapi i Shën Ndreut, Shën Dëlli, etj. Këto emra i përkasin disa prej kishave që kishte ky fshat në qendër dhe përreth tij. Këto objekte nuk ekzistojnë më, ndoshta ato janë braktisur ashtu si dhe kisha e Marmiroit, në kohën kur treva në fjalë u islamizua në shumicën e saj, diku gjatë shekujve të fundit të pushtimit turk.

 

Discussion about this post

Related Posts