Peja magjepëse

Bukuria e qytetit të Pejës, është magjepëse dhe jo vetëm kaq. Njihet si qyteti me atraksione nga më të veçantat. E pakrahasueshme është bukuria që mbërthejnë në vete Bjeshkët e Rugovës.

Peja, qytet në perëndim të Kosovës, është porta hyrëse për disa nga pamjet dhe atraksionet më interesante që ofron ky vend.

 

Një qytet i vogël me vetëm 20 km2 dhe 95 fshatra përreth, por i njohur për lashtësinë, civilizimin, diversitetin kulturor dhe arkitekturën e veçantë. Aty mund të hasni në kultura të ndryshme. Popullsia është e përzier, ku përveç shqiptarëve,  jetojnë edhe serbët, malazezët, boshnjakët dhe romët. Në Pejë, ashtu si gati në të gjithë Kosovën, do të gjeni besime të ndryshme fetare. Dominon besimi islam, por është prezent edhe besimi i krishterë dhe ortodoks. Objektet fetare si: xhamitë, teqetë dhe kishat, kudo në zonën e Pejës e vërtetojnë më së miri bashkëjetesën e këtyre besimeve fetare.

Dokumenti më i vjetër i ruajtur ku Peja haset me emrin Latin Pechi është i vitit 1202. Në atë kohë Peja, si qendra më e rëndësishme e Dardanisë antike ku ishte e zhvilluar tregtia,  ka shërbyer si rrugë lidhëse e karvanëve të shumtë tregtare.

Identiteti i saj është Çarshia e Vjetër e cila përbëhet nga katër pjesë: Çarshia e Madhe, Çarshia e Gjatë, Rrethoja apo Okoli dhe Çarshia e Shatërvanit. Duke i takuar periudhës turko – osmane, kjo çarshi që sot ka rreth 950 dyqane, gjithmonë ka qenë segmenti më i rëndësishëm i tregtisë, duke u lidhur me Maqedoninë e duke kaluar tek Greqia.

Përveç rëndësisë historike dhe kulturore, në Çarshinë e gjatë ndodhet edhe Çarshi Xhamia apo Bajrakli Xhamia e ndërtuar në vitin 1471, që në atë kohë mbante emrin Xhamia e Sulltan Fatih Mehmet Hanit. Po ashtu, përveç karakteristikave arkitektonike, Çarshi Xhamia ka edhe kupolën më të lartë nga të gjitha 15 xhamitë në qytet.

I përshkruar me traditë e trashëgimi, në Pejë gjendet një numër i madh i objekteve të tjera kulturo-historike, siç janë: kullat e gurit, shtëpitë e vjetra, objektet religjioze përfshirë kisha katolike dhe ortodokse, teqetë, hamami i Haxhi Beut, mulliri i Haxhi Zekës dhe objekte të tjera që qytetit të Pejës i japin një histori të vjetër të zhvillimit në periudha të ndryshme kohore. Andaj udhëtimi në këtë qytet nuk ka të bëjë vetëm nëpër vend, por edhe nëpër kohë,  duke filluar nga kohërat ilire, bizantine, otomane, luftërat botërore e deri tek historia e ditëve të sotme.

Përveç shtegtimit kulturor që ofron Peja, ajo ka edhe pasuri të mëdha natyrore. Për ta parë një peisazh mahnitës, ju e keni mundësinë që ta shihni në Pejën e bukur, në Grykën e Rugovës një bukuri si askund tjetër. Këto male për shkak të bukurive të pakrahasueshme, janë bërë destinacion i bjeshkatarëve por edhe i qytetarëve të cilët dëshirojnë të pushojnë prej përditshmërisë së tyre. Me një gjatësi prej 25 km dhe thellësi prej 1,000 metra, Rugova konsiderohet të jetë një nga kanionet më të gjata dhe më të thella të Evropës. Adhuruesit e aventurave të sporteve dimërore dhe verore do mbesin të mahnitur nga bukuritë e kanioneve, ujëvarave dhe terreneve të përshtatshme për skijim.

Pothuajse në të gjitha pjesët malore janë të shpërndara rezervatet e shtazëve të ndryshme si: ariu, kaprolli, derri i egër, dhelpra, cjapi i egër, rrëqebulli, kunadhja e artë, kunadhja e bardhë, lepuri, thëllëza, fazani, pula e egër, gjeli i pyjeve etj. Ndërsa pasuria e florës e në veçanti bimët mjekuese që gjenden në këto male janë: kantarioni, lule boronica; lule aguliqe; lule kamomili e të tjera si dhe frutat malore: boronica, dredhëza, mjedra, kërpudha, manaferra, thana dhe lajthia.

Përgjatë rrugës mund të hasni në disa ujëvara dhe shumë burime uji, siç është Uji i Zi dhe Kroi i kilometrit të 5-të. Në kilometrin e gjashtë të kanionit ka një ujëvarë 25 metra të lartë që buron nga shkëmbinjtë në anën e saj jugore dhe bie në lumë. Gjithashtu, qindra shpella përshkojnë rrugën, si Gryka e Madhe, Shpella e Karamakazit, Shpella e Kallabes, e të tjera.

Lumi Drin i Bardhë përfshin një nga ujëvarat më spektakolare në Kosovë meqë mbledh ujërat e Lumbardhit të Pejës, Erenikut dhe Lumbardhit nga Prizreni. Ujëvara e Drinit të Bardh gërsheton bukuri të shkëlqyera natyrore dhe është destinacioni më i mirë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë. Duke u shtrirë në mes të rrjedhës së lumenjve, Peja ofron një spektër mundësish për adhuruesit e peshkimit.

Ujëvara, së bashku me shpellën dhe burimin e Drinit të Bardhë, janë mbrojtur ligjërisht si një monument natyror me një sipërfaqe prej 89,94 hektarë që nga viti 1983 për shkak të vlerave të saj gjeo-morfologjike, hidrologjike dhe turistike.

E krijuar nga lumi Drin dhe e domosdoshme të vizitohet është edhe “Ura e shenjtë”, e cila ofron një përvojë si asgjë tjetër. Është një urë e vjetër e ndërtuar mbi një kanion interesant dhe unik. Çdo vit ka një konkurs zhytjeje nga ura dhe zhvillohet një garë shumë interesante.

E nëse jeni adhurues të adrenalinës, në Pejë mund të provoni fluturimin me parashutë dhe të përjetoni pamje të paharrueshme të qytetit nga ajri, ngjitje malore, Zip Line i cili është i vendosur mbi rrugë, mbi lum dhe mes për mes Grykës së Rugovës, duke e bërë atë edhe më të veçantë, Via Ferrata e cila bëhet në zona të ndryshme shkëmbore, dhe shumë atraksione të tjera të cilat do t’iu mbeten gjatë në mendjen tuaj si disa nga çastet më të paharrueshme.

Discussion about this post

Related Posts