BunkArt 2, Labirinti i të kaluarës së hidhur nën qendrën e Tiranës

Kush mund ta kishte menduar se të gjithë ata që kanë ecur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nuk e kanë ditur se poshtë këmbëve të tyre ka pasur tunele misterioze me mbi 25 dhoma dhe një sallë gjigante mbledhjesh, që do të shërbente në rast sulmi bërthamor për strehimin e krerëve të ministrisë së Brendshme.

Bëhet fjalë për ish-bunkerin bërthamor, i cili u zbulua para syve të të gjithë kureshtarëve në formën e një Muzeu. Ky është ‘Bunk’Art 2’.

Bunk’Art 2, pothuaj 1000 metër katror në madhësi, është bunkeri i dytë anti-bërthamor në Tiranë i cili tashmë është kthyer në një eksperiencë interaktive të artit. Vendosur midis bllokut të ministrive në qendër të Tiranës, streha e nëndheshme ishte mbajtur e fshehtë nga populli i gjerë për një periudhë tepër të gjatë, deri sa u zbulua në vitin 2016.

I ndërtuar në vitet ’81-’86, nën themelet e Ministrisë së Brendshme, tuneli ishte një strehim anti-bërthamor i cili njihej me kodin “Objekti Shtylla.  Ky tunel është një nga hallkat më të rëndësishme të projektit paranojak të bunkerizimit të vendit, që nisi në vitet ’70, e që la pas me qindra mijëra bunkerë në të gjithë vendin.

Gjatë procesit së ndërtimit të tij si muze, ky vend u sulmua nga ish të përndjekurit politikë, si shenjë revolte kundër “vlerësimit” të një regjimi i cili keqtrajtoi aq shumë vetë.  Ashtu si edhe shumë godina të tjera të ndërtuara gjatë periudhës së gjatë komuniste, ky vend rikthen kujtime të trazuara për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Kupola hyrëse u dëmtua në disa vende të cilët nuk u riparuan qëllimisht që edhe këto dëmtime të jenë pjesë e historisë së këtij vendi.

Udhëtimi brenda këtij tuneli shfaq patologjinë e izolimit dhe paranojës së një periudhe 45-vjeçare. Secila prej 24 dhomave tregon një pjesë së historisë mbi persekutimin politik të rreth 100 mijë shqiptarëve prej vitit ’45-91.  Dhomat e para shfaqin ekspozitën historike të krijimit të xhandarmërisë në ’12-’39, të forcave të rendit në ’39-’44, dhe sigurisht të policisë dhe Sigurimit gjatë Komunizmit, në ’44-’91.  Udhëtimi behët më i errët jashtë këtyre dhomave, ndërsa renditen mbi 6 mijë persona të pushkatuar, 34 mijë të burgosur, dhe rreth 100 mijë të internuar.

Fotografi, rrobat e të burgosurve, mjediset e survejimit, e shumë ekspozita të tjera tregojnë proceset e ndjekjes dhe përgjimit të shtetit gjatë komunizmit. Labirintet e memories nuk mbarojnë këtu.  Thuhet se ky tunel është lidhja nëntokësore e të gjitha ministrive! Tuneli përfundon në bulevard, aty ku perëndon dielli, duke theksuar edhe një herë se çdo regjimi i vjen fundi, si në antikitet ashtu edhe në kohët e sotme. Simboli i një periudhe të re është pikërisht krijimi i një muzeu si Bunk’Art 2.

Bunkart 2 është muzeu më i fundit dhe më i ri i hapur në Tiranë më 17 Nëntor 2016, në kuadrin e Ditës Kombëtare të Çlirimit të Tiranës. Ky bunker top sekret tashmë është një muze në qendër të Tiranës, prapa Ministrisë së Rendit Publik. Një numër shumë i lartë turistësh kanë vizituar muzeun që nga hapja e tij. Ai tregon për erën komuniste dhe për persekutimin e kundërshtarëve të regjimit.

Discussion about this post

Related Posts