Manastiri i Deçanit, Monument i rrallë

I pozicionuar rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në periferi të qytetit të Deçanit gjendet Manastiri i Deçanit. I rrethuar nga pyje gështenjash e pishash, që kufizohen nga kreshpat e larta e të zhveshura të Bjeshkëve të Nemuna, ku nëpër grykën që Deçanit, nëpër të cilin rrjedh Lumi i Bistricës, i jep hijeshi Manastirit dhe bëhet vend i dëshirueshëm për tu vizituar. Resorti historiko – turistik i këtij manastiri shtrihet ndërmjet Gjakovës dhe Pejës, dy nga qytetet më të njohura të Kosovës.

Nga pikëpamja teknike, kisha qëndron mjaft solide, duke i rezistuar mjaft mirë një periudhe të gjatë pothuaj shtatëshekullore. Për vlerat e veçanta që Manastiri i Deçanit mbart mbi vete si kompleks historiko-religjioz, si vepër arti dhe arkitektonike dhe për vlerat ambientale-natyrore, në vitin 2004 ai është shpallur Pasuri e Kulturës Botërore, e mbarë njerëzimit, nga ana e UNESKO-s. Ndërtesa më e rëndësishme e manastirit, pas kishës, është trapezaria, mensa ku shërbehej ushqimi për monarkët. Këtu para dhe pas ngrënies lexoheshin lutjet. Sipas burimeve, trapezaria është ndërtuar në një kohë me kishën gjatë shekullit XIV.

Kisha e Manastirit të Deçanit është ndërtuar në vitet 1327-1335 nga mbretërit nemanjid Stefan dhe Dushan, babai Stefan Uroshi III Deçani dhe i biri. Kjo kishë është realizim arkitektonik romaniko-gotik e shkollës dalmato-arbërore e bregut dalmat. Në arkitraun e portalit jugor të kishës lexohet mbishkrimi i arkitektit arbnor dom Vita Çuçi Françeskani. Dom Vita Çuçi ishte kryemurg i Kishës së Shën Mërisë në Kotorr, funksion që dhe në këto anë e kryenin përgjithësisht priftërinjtë arbërorë. Në ditët tona është ruajtur burimi se dom Vita me 18 shqiptarë gurgdhendës ndërtoi Kishën e Manastirit të Deçanit.

Në këtë kompleks religjioz, kisha përfaqëson objektin kryesor të tij. Në fillim u ngritën muret rrethues të manastirit, një lloj fortifikimi i kompleksit, i pajisur dhe me kullat tipike mbrojtëse. Vijuan ngrehinat me ambientet e banimit të monarkëve, si dhe trapezaria dhe spitali, i cili funksionoi gjatë gjithë mesjetës. Tërësia e Manastirit të Deçanit përbëhet nga tri njësi funksionale. Kisha, një vepër mbresëlënëse arkitekture dhe arti.

Trapezaria në anën veriore dhe ndërtimet dykatëshe rreth kishës në qendër, ku ndodheshin ambientet e banimit të priftërinjve. Në ballin e konakëve, çardakët transparentë përbënin hapësira relaksi dhe ndërlidhje ndërmjet dhomave. Fra Vita e realizoi këtë vepër të spikatur arti me shpirtin e arkitekturës perëndimore romano-gotike. Realizimi arkitektonik, teknika fine e mureve dhe pilastrave, skalitjet e portaleve, plastika e dritareve si dhe pasuria dhe larmia e elementëve të ndryshëm në interier si afresket, ikonostasi, shandanët etj., e vlerësojnë Kishën e Manastirit si një vepër nga më të respektuarat në gjininë e saj.

Manastiri i Deçanit, si një objekt me vlera të mirënjohura historike, religjioze, arkitektonike, artistike dhe ambientale-natyrale, UNESCO në vitin 2004 e ka shpallur Manastirin e Deçanit, Pasuri e Kulturës Botërore të mbarë njerëzimit nën Mbrojtjen e UNESCO-s.

Discussion about this post

Related Posts