Liqeni i Kuqishtës, në zemër të Rugovës

Rugova veç bukurive natyrore shquhet edhe për peisazhet fantastike dhe ajrin e pastër.  Secili nga 13 fshatrat e asaj ane, ka bukuri të veçantë por në zemër të saj gjendet fshati Kuqishtë, mbi bjeshkën e të cilit ndodhet Liqenati i Madh me pamje mbresëlënëse në të gjitha stinët e vitit. I rrethuar me male të larta dhe shkëmbinj, ky liqen mahnit me bukuritë e tij dhe ju mund të hyni aty për tu freskuar në kohë me temperatura të larta sikurse në këtë periudhë.

Ky liqen malor shtrihet në një lartësi prej 1859 metrave mbi nivelin e detit dhe ndodhet në zonën kufitare malore të Bjeshkëve të Nemuna, jo larg kufirit me Malin e Zi. Liqenati është një prej atyre destinacione i cili padiskutim do t´ju bëj të harroni plazhet.

Me pak dëshirë të mirë dhe shumë dashuri për natyrën, shumë lehtë mund ta vizitoni këtë destinacion. Shtegu është i lehtë për t’u gjetur dhe gjatë gjithë rrugës, shenjat do të ju udhëzojnë nëpër itinerarin që duhet të ndiqni. Përveç tyre, gjatë gjithë shtegut do të mahniteni me bukuritë e panumërta të maleve të Rugovës, të cilat nga andej, shihen si ti kishit në pëllëmbë të dorës. Gjithashtu mund të shijoni fruta të ndryshme mali dhe të freskoheni tek burimi natyral i ujit, menjëherë pas të cilit do të ndesheni me pamjen piktoreske të Liqenatit. Uji i kristaltë i tij do t’ju bëjë për vete dhe vështirë se do të rezistoni pa provuar notin në ujin e ftohtë.

 

Si shkohet në Liqenat?

Për të arritur në Liqenat, fillimisht duhet që me veturë të shkoni deri te “Guri i Kuq”. Aty mund ta parkoni veturën dhe nga aty fillon shtegu për te Liqenati. Shtegu është i lehtë për t’u gjetur dhe ecja zgjatë rreth një 1 orë e 30 minuta. Duhet të jeni të përgatitur për ecje standarde malore (veshje standarde dhe xhaketë, shami-kapelë dhe krem mbrojtës) dhe ushqim ta merrni me vete. Aktiviteti është  i përshtatshëm për gjithë adhuruesit e natyrës, dashamirët e ecjeve të lehta, por edhe për ata që duan ta kalojnë një fundjavë në natyrë. Shtegu i ecjes do të kalojë buzë dy liqeneve të njohura në atë trevë. Masivi i Gurit të Kuq paraqet bjeshkë atraktive dhe ka pozitë të favorshme, sepse nga ajo pjesë mund të shihen pjesë të konsiderueshme të Bjeshkëve të Nemuna, duke përfshirë faqen veriore të Rugovës.

Nëpërmjet urëlidhëses “Triptoalbania.al”, ju do të njiheni me të gjitha bukuritë që ka krijuar natyra, destinacionet turistike dhe magjitë e pazbuluara të trevave shqipëfolësese ndaj nëpërmjet nesh do ta keni më të lehtë të bëni përzgjedhjen për të vizituar vendet e dëshiruara në të gjitha stinët e vitit.

 

Discussion about this post

Related Posts