Parku i liqenit të Farkës po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion të preferuar të kryeqytetasve për të kaluar orët e lira të pasdites, apo edhe një zgjidhje ideale për piknik në fundjavë.
Vetëm 8 km larg qendrës së Tiranës, ky liqen është i vendosur në zemër të fshatit me të njëjtin emër dhe emrin Farkë e ka marrë nga farkëtar si fshati i farkëtarëve.
Ky liqen tashmë është i rrethuar nga një pedonale shumë moderne, ku njerëzit mund të ecin për kilometra rreth liqenit dhe të shijoni pamjen 360 gradë të tij. Ju mund të uleni dhe të qetësoheni për pak kohë në stolat rreth liqenit dhe të vazhdoni udhëtimin tuaj.
Është një vend ideal për piknik. Gjithë zona është e gjelbër, kështu që ju mund të uleni në bar, dhe të hani një drekë perfekte me familjen. Gjatë fundjavës është një nga zonat më të populluara. Ky vend është shumë afër Tiranës dhe është e lehtë për të shkuar pasi rruga është e mirë. Por ne nuk e sugjerojmë vetëm për familjarët, por dhe për të rinjtë pasionantë të biçikletave të cilët mund të bëjnë xhiro rreth liqenit në pedonalen e gjatë.
Nëse nuk doni të shpenzoni sigurohuni të merrni me vetë ujë dhe ushqime, pasi ajo që liqeni i Farkës mund t’ju ofrojë është qetësia dhe një mjedis i paqtë. E çfarë do të donit tjetër?
Ndërsa në mbrëmje do të përballeni me një peisazh fantastik dhe nuk po ju zbulojmë më tepër nga ky destinacion, thjesht ju sugjerojmë ta vizitoni vetë dhe jemi të bindur që do riktheheni sërish e shërish…
Discussion about this post