Hamami i Madh i Prishtinës, vendtakimi i njerëzve për shekuj me radhë

Në Prishtinën e bukur, vetëm pak minuta larg zemrës së qytetit, gjendet një prej monumenteve kulturore dhe historike më të rëndësishme në vendin tonë. Faktet dëshmojnë se ndërtime arkitekturore të veçanta, që rrjedhimisht mbartin edhe rëndësi historike, kanë ndodhur në Prishtinë përgjatë viteve. Hamami i Madh i Prishtinës, i njohur ndryshe edhe si Hamami i Sulltan Mehmet Fatihut është ndër monumentet e pakta që i përket periudhës osmane e që cilësohet si monument i trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Vizita në këtë monument, që mbart mbi supe shekuj të tërë historie, është një përvojë e një përjetim që nuk duhet ta lini pa e provuar. Në kohën kur Hamamet (Banjat) ishin në funksion, shërbenin që njerëzit të shkonin dhe të laheshin aty, pas një ditë të lodhshme. Kjo, me qëllim që shoqëria të krijonte një shprehi ndaj pastërtisë, meqë konsiderohej si një ndër tiparet e një shoqërie të përparuar. Krahasimi i kohëve të ndryshme, është një rrugëtim i veçantë, që lejon mendjen të kthehet pas e të imagjinojë se si kanë jetuar njerëzit para nesh. Në njëfarë forme, vizita në monumente si Hamami i Madh, të lejon të prekësh të shkuarën e ta jetosh atë.

Histori

Hamami është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të XV dhe ishte një nga objektet e para osmane që u ndërtuan në Kosovë. Njihet si një pjesë e Xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut. Hamami u vizitua nga banorët e Prishtinës si një vend për t’u takuar dhe për t’u shoqëruar për shumë breza. Sipas legjendës, ndërtuesit që ishin pjesë e ndërtimeve u detyruan nga Sulltani Mehmet el-Fatih të lajnë veten në Hamam, dy herë në ditë.

Hamami është monument i rëndësishëm dhe gjendet në një ansambël po aq të rëndësishëm urban në qendër të Prishtinës. Afërsia me tri xhamitë historike, Sahat Kullën, me disa shtëpi nën mbrojtje dhe me një pazar, duke pasur edhe qasje në një ndër rrugët kryesore të qytetit, paraqet mundësi të zhvillimit dhe të ringjalljes së kësaj zone të rëndësishme. Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por në bazë të shënimeve që ekzistojnë duhet të jetë ndërtuar në shek. XIV-XV, duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Prishtinës me gjenerata të tëra. Hamami është i tipit çift, pra është shfrytëzuar nga meshkujt dhe femrat në të njëjtën kohë. Edhe pse hamami ka pësuar ndryshime të shumta, veçanërisht në fasadën ballore dhe lindore, forma origjinale e bazës dhe pjesa më e madhe e strukturës është ruajtur.

Si i tillë, hamami ka vlera të larta shoqërore, shpirtërore e sidomos historike. Hamami përbëhej nga paradhoma qendrore (apoditeriumi, zhveshtorja), një hapësirë kalimtare ngrohëse (tepidariumi) dhe banja (caldariumi) me një kazan për ruajtjen e ujit, e cila ishte e mbuluar me 18 kupola.

Arkitektura

Hamami i Madh i Prishtinës konsiderohet si një hamam i dyfishtë, sepse ka seksione të veçanta për burrat dhe gratë. Ka një sipërfaqe përafërsisht 800 m2 dhe një formë katërkëndësh. Gjithashtu, në këtë hamam ka një dhomë të nxehtë dhe një dhomë të ftohtë. Dhoma e nxehtë ka 16 kupola, secila përmban 15 vrima. Në njërën nga kupolat, vrima e mesme është në formën e vulës së Sulejmanit ose të formës së pentagramit të rregullt. Arsyeja dhe qëllimi  i këtyre vrimave është që hamami brenda të ndriçohet. Një tjetër arsye është mbajtja e hamamit të ngrohtë. “Seksioni i nxehtë” i hamamit, përfshin të ashtuquajturat “banjat e hamamit”. Kjo dhomë avullohej nga hipokaustet. Hipokaustet gjendeshin nën dyshemenë e mermertë. Muret e ndërtesës janë prej guri, kurse kupat janë bërë me tulla dhe janë mbuluar me fletë. Brendësia, megjithatë u suvatua me një llaç tradicional të quajtur “Horasan”.

“Horasan” është rezistent ndaj lagështisë. Kjo ndërtesë, në përgjithësi, ka gurë të rregullt në formë, të cilët janë gdhendur në qoshet e tyre dhe janë të lidhur me llaç gëlqeror. Për “pjesën e ftohtë” thuhet se ishte mbuluar nga katër kupola, por asnjë shenjë e këtij lloj ndërtimi nuk u gjet. Hamami i madh i Prishtinës ka sallën e hyrjes, zonën e mesme të ngrohtë dhe zonën kryesore të ngrohtë.

Hamami i Madh i Prishtinës, me të gjitha veçoritë arkitekturore dhe rëndësinë historike, ruan një vend të rëndësishëm në të kaluarën e vendit tonë. Socializimi, si fenomen, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë rëndësi të veçantë në shoqërinë njerëzore. Monumente të tilla, si ç’është Hamami i Madh, kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në këtë aspekt. Njerëzit janë bashkuar e janë shoqëruar në këtë vend për shekuj me radhë. Bashkëjetesa në shoqëri është një domosdoshmëri e kur në bashkëjetesë krijohen marrëdhënie të mira mes njerëzish është lumturi.

Discussion about this post

Related Posts