Sa herë dëgjoj të flitet për qytetin e Durrësit, gjithmonë më vjen në mendje historia e një qyteti mijëra vjeçar, me dëshmi të jashtëzakonshme arkeologjike, e një vijë bregdetare që ngjan e pafundme.
Nëse viziton qytetin e Durrësit dhe destinacionet turistike që ka ky qytet, padiskutim bëhesh dëshmitar i kësaj që thashë mësipër, pasi ky qytet ruan ende historinë, monumentet e kulturës, traditat etj.
Durrësi gjithashtu është një ndër qytetet më të rëndësishme në vend, pasi është edhe qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Qyteti ka mbi 200,000 banorë dhe njëkohësisht është qendra e prefekturës dhe qarkut të Durrësit. Është një nga qytetet më të lashtë dhe më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë.
Durrësi është i vendosur në bregdetin qëndror shqiptar, rreth 33 km (21 mi), në perëndim të kryeqytetit Tiranë. Ai ndodhet në një nga pikat më të ngushta të Detit Adriatik, përballë porteve italiane të Barit (300 km/186 mi larg) dhe Brindisit (200 km/124 mi larg). Qyteti i Durrësit është i populluar nga rreth 202.000 banorë.
Durrësi mbahet mend edhe si kryeqyteti i shtetit shqiptar nga 7 marsi 1914 deri më 11 shkurt 1920. Durrësi u bë kryeqytet i Mbretërisë së Shqipërisë nga Princ Vidi kur ai zbarkoi më 7 mars 1914 e deri në vendimin e Kongresit të Lushnjës të datës 11 shkurt 1920 për shpalljen e Tiranës si kryqytetin e ri të shtetit shqiptar.
Durrësi mund të krahasohet me qytetet më te mëdhenj te Mesdheut antik dhe Mesdhetar. Qyteti Epidamn Dyrak u ndërtua nga Iliret Taulant, dallendyshasit ne shekuj XIII-XI p.K. Banoret e pare te Dyrrahut, para ilireve te quajtur protoiler, pellazge, ngritën ne rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para prehistorike. Në kushtet e një klime mesdhetare, zona me e përshtatshme për banim ishte ajo e lumit Erzen (Ululeus) si dhe Ultësira Perendimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autoreve antik, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjine ilire të quajtur Dyrah dhe Epidamn.
Mbreti Epidamn, ndërtoi pjesën e fortifikuar të qytetit në juglindje të Malit të Durrësit, kurse nipi i tij Dyrrak, ndërtoi Portin që për shumë e shumë shekuj mban emrin e tij. Nga këto dy emra mbijetoi deri në ditët tona, emri Dyrrah-Durrësi, për vete rolin e tij si liman-Port. Emri i vërtet i mbretit vendas Dyrrah, identifikohej dhe me konfiguracionin gadishullor të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahe), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit.
Nëse flasim për Durrësin, përveç historisë e këtyre që përmenda më sipër, gjithashtu kam parasysh edhe portin më të madh të vendit.
Porti i Durrësit, është një nga portet më të vjetra të Evropës në detin Adriatik dhe një nga kryeurat ballkanikë të komunikimit të perëndimit më lindjen dhe anasjelltas. Ai është përcaktuar si një pikë hyrje për Korridorin e 8-të të transportit që fillon nga Shqipëria, kalon nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë për të mbërritur në portin e Varnas dhe Burgasit në Detin e Zi. Objektivi kryesor i projektit është krijimi i një transporti të sigurt, sipas standardëve të projektimit europian dhe ndërkombëtar.
Gjithashtu është porti më i madh i vendit, i cili mbulon rreth 85 % të import-eksporteve shqiptarë të mallrave dhe më i rëndësishëm në transportin detar të udhëtarëve.
Porti i Durrësit ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1,4 km² dhe një akuatorium prej 0,67 km². Kanali i hyrjes është 9,5 m i thellë, 40 m i gjerë dhe 1,2 milje i gjatë. Në port funksionojnë 11 kalata operues nga 6,6–11 m të thella më një gjatësi rreth 2.200 m. Sipërfaqja totalë për depozitimin e mallrave është 270.000 m² nga të cilat 27.000 m² janë të mbuluara.
Në portin e Durrësit ngarkohen dhe shkarkohen të gjitha llojet e mallrave mineralë, karburante, cimento dhe artikuj të kategorive të ndryshme.
Në port gjendët dhe terminali i trageteve, i cili ka në dispozicion një kalatë më gjatësi 186 m dhe zhytje që varion nga 7,40-7,90 m. Në këtë terminal, gjatë vitit 2002, u përpunuan 1.683 tragete më 600.500 pasagjerë, 138.000 automjete dhe 368.000 ton mallra.
Terminali i konteniereve është në fazën ndërtimorë. Përveç kalates dhe sheshit që ka në dispozicion, në ndihmë të terminalit të konteniereve në portin e Durrësit ndodhen edhe një sërë pajisjesh që ndihmojnë në ngarkim-shkarkimin e tyre.
Durrësi është nyjë e të gjitha llojeve të transportit. Nëse do t’i referohemi shprehjes së vjetër që në kohën e Perandorisë Romakë së “Të gjithë rrugët të çojnë në Romë”, në Shqipëri, do të ishte: “Të gjithë rrugët të çojnë në Durrës”.
Durrësi, qytet 3000-vjeçar në zëmër të Evropës. Në qendër të tij ndodhet Amfiteatri më 20.000 vende, unik në të gjithë Ballkanin.
Trashëgimia arkeologjike e qytetit e bën të natyrshme që çdo durrsak të ndjehet krenar për qytetin e tij. Durrësi i cilësuar si Taverna e Adriatikut, mirëpret në kohët modernë, turist dhe vizitor nga e gjithë bota. Tashmë Durrësi është përfshirë në projekte të fuqishme të Bankës Botërorë dhe Agjensivë të rëndësishme Ndërkombëtarë. Ai ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik lokal. Turizmi dhe vlerat arkeologjike, presin çdo turist dhe vizitor për të shijuar bukuritë natyrorë dhe për të prekur dhe parë nga afër lashtësinë.
Zhvillimi ekonomik dhe interesi i madh për të sjellë në Durrës eksperiencat më të mira të vendeve të zhvilluara, i ofrojnë investitorëve dhe biznesmenëve mundësi dhe terren për të arritur sukses në aktivitetet e tyre. Mjedisi shumë i favorshëm, mundëson krijimin e zonave industrialë, krijimin e plazheve elitarë në zona të virgjëra, studime e master planë, zbulime arkeologjikë, ndërtime të rrugëve të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës. Politikat ekonomikë financiarë lokalë, lehtësojnë investitorët në sipërmarrjet e tyre.
Vizioni i strategjisë së Bashkisë për zhvillimin e qytetit të Durrësit është: “Nyjë kryesorë e vendit për transportin detar, rrugor, hekurudhor, zona më e rëndësishme e vendit në fushën e turizmit masiv dhe atë elitar, që ofron histori dhe arkeologji unikë, qendër kryesorë për tregtinë më jashtë dhe industrinë eksportuese, qytet i bankave dhe i shoqërive të sigurimit, më një komunitet që gëzon një cilësi jetë të avancuar”.
Vendet që nuk duhen lënë pa vizituar në Durrës
AMFITEATRI
Është rrënoja antike më e rëndësishme e Durrësit. Ndodhet në qendër të lagjes më të vjetër të Durrësit, i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Amfiteatri i Durrësit është jo vetëm më i madhi në territorin e Shqipërisë së sotme, por në krejt këtë anë të Ballkanit.
KALAJA E DURRËSIT
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme.
Në Kështjellën e sipërme kishin selinë e tyre Duka i Durrësit dhe më vonë, kur qyteti qeverisej nga feudalë shqiptarë (1368-1392), aty kishin vendqëndrimin e tyre Karl dhe Gjergj Topia.
TORRA VENECIANE
Ajo do t’ju bjerë menjëherë në sy sapo të mbërrini në sheshin e vogël, në krah të monumentit të “Mujo Ulqinakut”, thuajse përballë hyrjes kryesore të portit. Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin.
MUZEU ARKEOLOGJIK
U përurua më 13 prill 2002 mbi bazën e materialeve të ruajtura nga muzeu i mëparshëm, i cili ka qenë shumë i vizituar. Ky ishte ngritur në anë të detit, jo shumë metra larg portit, në rrugën që të çon drejt Plazhit të Currilave, në këmbët e një kodre të hijshme. Muzeu i ri ka rreth 2000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit, që nga periudha arkaike deri në mesjetën e vonë.
MUZEU I DËSHMORËVE
Kompleksi Funeral i Dëshmorëve të ish-Qarkut të Durrësit përmban memorialet e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944). Krahas tyre janë varrosur dhe eshtrat e dëshmorëve të lëvizjes patriotike të fillimit të shek. XX. Në katin e dytë ndodhet salla e relikeve të luftës, e cila është inaguruar fillimisht në vitin 1969. Në sallën e relikeve janë ekspozuar armët trofe të Luftës së Dytë Botërore dhe objekte personale të dëshmorëve.
“Rotonda”; “Banjat / Termat Romake” nën pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, si dhe “Pusi i Top Hanës”, prapa ndërtesës së gjykatës e prokurorisë. Të tre këto monumente ndodhen shumë afër njëri-tjetrit, prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit, duke qenë se ndodhen pranë qendrës historike të qytetit. Kujdesi sistematik i punonjësve të mirëmbajtjes, bën që këto monumente të nxjerrin në pah vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore.
MUZEU ETNOGRAFIK
Muzeu Etnografik është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake, aty ku ndodhet shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e gjysmës së dytë të shek. XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban një koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri.
MOZAIKU I BAZILIKËS SË SHËN MËHILLIT
Bazilika në Arapaj është monument kulture i kategorisë së parë shpallur me vendim nr. 8, datë 18.02.1987. Monumenti, datohet në shek. V Pas. Kr., rreth viteve 20 – 30 faza e parë e bazilikës. Faza e dytë përfshin shek. XII – XIV Pas. Kr., përcaktojnë shndërrimin e këtij ndërtimi njëherësh me kishën dhe varrezat. I takon tipit të bazilikave tri konke dhe me transept, që zhvillohet sipas një plani gjatësor lindje perëndim (65 x 28 m) e përbërë nga bema, naosi, atriumi dhe ambjentet anësore. Absida lindore karakterizohet nga diametri i saj 7 m, dhe me trashësi muri 1.5 m.
VILA MBRETËRORE E ZOGUT
E ndërtuar në vitin 1927, kjo vilë ishte një dhuratë personale për Mbretin Zog I, nga komuniteti i biznesit të Durrësit ne shenjë respekti dhe nderimi. Ndërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj dhe sallonin madhështor. Edhe pse tepër e dëmtuar gjatë trazirave të 1997, ajo mbetet një simbol i trashëgimisë së qytetit të Durrësit.
KEPI I RODONIT DHE KALAJA E SKËNDERBEUT
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.
SHËTITORJA “VOLLGA”
E kush është ai person që ka ardhur të paktën njëherë në Durrës, e nuk ka shijuar shëtitoren e famshme “Taulantia”, të njohur ndryshe si “Vollga”. Shëtitorja ku gjithë durrsakët e turistët freskohen masivisht e thithin jodin e detit Adriatik.
SFINKSI
Një shkallare në formë trageti, e njohur si “Sfinksi”, është realizuar rreth 2 vite më parë, në fund të shëtitores “Taulantia”. Një nga vendet më tërheqëse në Durrës për të realizuar sete të magjishme fotosh.
SHESHI “LIRIA”
Sheshi kryesor i qytetit, u rivitalizua në 2015-n, me pllaka të bardha prej mermeri vezullues, palma arabe e shatërvanë modernë, që të sjellin në mend qytete ekzotike ndërkombëtare.
PORTI I PESHKIMIT
Porti i peshkimit i ndërtuar ngjitur me portin detar të Durrësit, është i mbështetur pjesërisht në muret dallgëthyese të pjesës perëndimore të tij. Është ngritur një skolierë (barrierë me gurë) prej 800 metra linear përballë murit perëndimor të portit, nga vendi ku ndodhet Kapitaneria deri në godinën e stacionit meteorologjik. Brenda basenit ujor prej 8 hektarë, të krijuar mes dy mureve, janë ndërtuar tre pontile (ura) me gjerësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila, me sipërfaqe prej 2.8 ha.
PLAZHI I KALLMIT
Uji i pastër, gjiret e shumta dhe pushuesit e pakët janë ato çka plazhi i Kallmit i ofron pushuesve. Plazhi gjendet 3-4 km larg qytetit të Durrësit dhe mund të cilësohet si plazhi i vetëm dhe i fundit që nuk është ndotur si zonat e tjera. Ai ndodhet në perëndim të malit të Durrësit dhe për të shkuar aty duhet ndjekur rruga e Currilave.
PLAZHI I BISHTPALLËS
Ndodhet në fund të rrugës së Porto Romanos, pikërisht aty ku fillon zona ushtarake. Me të mbërritur përballë postbllokut, ku mund të parkoni lehtësisht makinën, duhet të ngjiteni në krahun tuaj të majtë. Në majë të kodrinës, ku ndodhet një lokal mjaft i këndshëm, do t’ju shfaqet plazhi “Portez”, një perlë e vërtetë për nga bukuria, por edhe nga intimiteti që ofron.
GJIRI I LALZIT
Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, gjiri i Lalzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj. Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalzit.
PLAZHI I MADH
Durrësi ofron një vijë të bollshme bregdetare me një numër të konsiderueshëm plazhesh, lokalesh e argëtimesh të pafund, deri në Kavajë, ku ndodhet një nga vendet më të pëlqyera, “Shkëmbi i Kavajës”. Komplekse argëtimi, kuzhinë të shkëlqyer, bare verore, të gjitha këto e bëjnë plazhin e Durrësit dhe të Kavajës një mundësi që nuk duhet humbur.
Discussion about this post